75 Mall Live Search
19:30 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / MSH

Incidenti i djeshëm në Prishtinë, intervistohen Armend Zemaj dhe qytetari që e quajti “rrenc”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se e ka intervistuar deputetin e LDK-së Armend Zemaj si të dyshuar për sulmin e djeshëm fizik ndaj një qytetari në qendër të Prishtinës.

Prokuroria ka thënë se është intervistuar edhe qytetari, të cilit Policia i ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Veprimi i deputetit Zemaj po kritikohet nga anëtarë të shoqërisë civile.

Mu përballë Kuvendit të Kosovës, sheshi “Ibrahim Rugova” u bë skena e një incidenti fizik në mes deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe një qytetari.

Incidenti që nisi pasi qytetari e quajti “rrenc” deputetin Zemaj derisa ai po jepte intervistë, përfundoi me të dyja palët në stacion policor për t’u intervistuar.

E tanimë rasti ka arritur edhe në duart e Prokurorisë

“Prokurori kujdestar ka intervistuar të dyshuarin i cili dyshohet për veprën penale “Sulmi” nga neni 184 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për çështjen në fjalë. Për më shumë informacione, ju njoftojmë me kohë. Të dy janë intervistuar nga Prokurori. Të dëmtuarit, Policia e Kosovës i ka lëshuar një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.