19:44 / E Hënë, 09 Korrik 2018 / indeksADMonline

Incidenti i peshkopëve serbë, Atanasie tërheq Filaret për mjekre

Pas incidentit në Manastirin e Dubnicës në Novo Varo, ku u përleshën peshkopët Atanasie Rakita dhe Filaret, është prononcuar ky i fundit.

Peshkopi Filaret në intervistën sot për Veçernje Novosti konfirmon se ka ndodhur skena e turpshme, por mohon se është mbrojtur dhe se kishte ftuar policinë.

“E vërteta është se peshkopi Atanasije më shtyu dhe më tërhoqi dy herë për mjekre. Ndërsa ai më sulmoi, i ngrita dy duart që të mos ia ktheja. Ende ndjej shijen e hidhur të kësaj ngjarjeje. Megjithatë, unë ia fal, ” tha Filaret.

Incidenti ndodhi të dielën e kaluar në manastirin Dubnica, rreth orës 17.00, gjatë një ceremonie fetare. Përleshjes i parapriu një bisedë e shkurtër ndërmjet dy peshkopëve, i cili u shndërrua në shkëmbim të fjalëve të ashpra.

“Fatmirësisht, aty ishin tre priftërinj , të cilët e ndanë prej meje. Peshkopi ka shumë probleme personale. Unë nuk i jam drejtuar Patrikanës në Beograd dhe as nuk kam ndërmend të bëj asgjë,”tha Filaret.

Peshkopi i pensionuar thotë se nuk do të kërkojë përgjegjësinë e peshkopit Atanasie dhe nuk pret që të vuajë pasojat.

“Nuk kam kah të shkoj. Vendlindja u shkatërrua në luftën e fundit dhe si një murg nuk posedoj asgjë nga pasuria. Nëse më dëbojnë edhe nga manastiri i Dubnicës, unë mund të shkoj vetëm te peshkopi Artemie,” tha Filaret, i cili ishte shkarkuar nga kreu i Episkopit të Mileshevske në vitin 2015, kur mori fund edhe aktiviteti i tij në shërbimin kishtar.