Incidenti në “Car Llazar”, IPK-ja rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë

Duke iu referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar” të 26 tetorit 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor), të angazhuar në Drejtorinë rajonale të policisë në Mitrovicën e Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.
“Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast. Inspektorati Policor në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti” thuhet në njoftim të IPK-së, shkruan IndeksOnline.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur, më 26 tetor, pas orës 3 të mëngjesit, me policinë që ndërhyri në një dyqan ku një i dyshuar tentoi të dëmtonte gjëra dhe pajisje të ndryshme, të cilat ishin të rrethuara me rrjetë mbyllëse.
“Personi i dyshuar, papritmas, ka dëmtuar rrjetën dhe duke kaluar mbi rrjetë, ka hyrë në pronë private duke dëmtuar gjëra të ndryshme. Zyrtarët policorë fillimisht kanë kërkuar që personi të ndalojë veprimet e tij, por i njëjti duke mos iu bindur urdhrave të zyrtarëve policorë, ka filluar të përdorte shprehje të ndryshme dhe të ofendonte zyrtarët policorë në gjuhën serbe”, kishte bërë të ditur policia në raportin zyrtar.
Personi në fjalë, sipas policisë, dyshohet të ketë qenë nën ndikim të alkoolit.
“Ndaj të dyshuarit, sipas procedurave të parapara ligjore, policia i ka shqiptuar një kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas është liruar. Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës, për të hetuar pretendimet e ngrituara se kinse zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar personin në fjalë”, deklaroi policia tri ditë më parë./IndeksOnline/