Incidenti në veri, Hoxha: Maturanti s’kishte në qafë gjak, e kishte bërë me ngjyrë para defilimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka mbajtur një konferencë për media pas incidentit të ndodhur në veri të vendit, ku njësitë policore ndërhynë në defilimin e maturantëve serbë.
Duke iu referuar deklaratave të viktimës dhe pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, Hoxha tha se nuk është evidentuar asnjë lëndim fizik, ndërsa shenjat e kuqe në qafën e nxënësit nuk janë të shkaktuara nga ndonjë dhunë.
“Ngjyra në qafën e maturantit ka qenë e vendosur para, dhe është ngjyrë, nuk është gjak. Bazuar në deklaratën e tij, edhe maturantë tjerë kanë pasur simbole të vendosura paraprakisht, si traditë e maturantëve të asaj pjese”, tha Hoxha.

Ai theksoi se ngjyrat në trup ishin të pranishme para ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
“Nga pamjet shihet që maturanti me herët ka pasur shenja në trup. t Ngjyrosja ka ekzistu qysh para ndërhyrjes së zyrtarit policor”, deklaroi ai.
Hoxha ka thënë se i njëjti nxënës është intervistuar në cilësinë e viktimës, në prani të babait të tij, dhe gjatë intervistës nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune.
“I njëjti maturant është intervistuar në cilësinë e viktimës, dhe shihet që s’ka asnjë shenjë të veçantë të dhunës, apo lëndimit serioz, që tregon që ka pasur gjakderdhje apo lëndim serioz gjatë ndërhyrjes së policisë”, ka thënë ai.
Tutje Hoxha ka theksuar se pretendimet për gjakosjen e maturantit nuk qëndrojnë.