12:09 / E Enjte, 02 Dhjetor 2021 / AR

Indeksonline kërcënohet me Kanun nga vëllai i policit të suspenduar për rrahjen e të miturit në Kaçanik

Indeksonline mbrëmë ka raportuar për policin e Kosovës, Rrahman Mani, i cili bashkë me djalin e tij, kishte rrahur një të mitur me aftësi të kufizuara, në Kaçanik. Pas këtij raportimi, i njëjti edhe është suspenduar.

Menjëherë pasi u publikua lajmi, në redaksinë e Indeksonline telefonoi vetë Rrahman Mani ku kërcënoi redaksinë duke kërkuar që të largohet lajmi.

Kërcënimet nuk mbaruan me kaq. Në postimin e lajmit “Telefonon te Indeksonline polici që rrahu të miturin me aftësi të kufizuara në Kaçanik, kërkon të largohet lajmi“, në Facebook ka komentuar Raif Mani, i cili u prezantua si vëllai i Rrahmanit.

I njëjti kërcënoi Indeksonline se do të ndjekë rrugën e Kanunit, nëse shteti nuk mirret me këtë rast, kështu duke pretenduar se është gënjeshtër.

Indeksonline duhet te i mirrte informacionet nga dy palet dhe jo vetem lajme koti te i servoje opinionit se na qelben me keso propaganda duke tentuar te rrisin klikimet me shpifje dhe intriga! Nuk ka shtete si ne Holande se menjehere prokuroria duhej fillonte hetimet ndaj indeksit duke kerkuar llogari nga indeksi se a ka kerkuar indeksi ne prokurori nje informim per rastin apo te pakten te kontaktoje me dy palet qe qytetareve te u tregohet e verteta dhe jo te i servohet intriga, genjeshtra dhe mashtrimet?! Une vellau i ketij polici deklarohem hapur se nese shteti nuk do mirret me hetimet ndaj indeksit nuk do me mbetet rruge tjeter se sa te ndjeke rrugen e Kanunit“, ka shkruar ai.

Megjithatë, lidhur me këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës. Ata njoftuan se polici Rrahman Mani është suspenduar dhe janë duke u zhvilluar hetime të mëtejme nga IPK-ja.

“Policia e Kosovës lidhur me shkrimin e publikuar në portalin Indeksonline të titulluar ”Polici bashkë me djalë e rrahin një të mitur me aftësi të kufizuara në Kaçanik”, njofton opinionin e gjerë se ndaj të njëjtit zyrtar (Rr. M.), stacioni policor në Kaqanik me kohë ka iniciuar procedurat e parapara ligjore, si dhe sipas kompetencës ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës. Vlen të potencohet se bazuar në Udhëzimin Administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, me datë 01.12.2021, zyrtari policor është suspenduar, përderisa hetimet e mëtejme janë duke u zhvilluar nga IPK-ja“, thuhet në njoftimin e PK-së.

Më poshtë video teksa Rrahman Mani bashkë me djalin e tij sulmojnë të miturin.

KLIKO KËTU – VIDEO