75 Mall Live Search
14:35 / E Hënë, 17 Gusht 2020 / indeksADMonline

Indi, 868 të vdekur nga përmbytjet në sezonin e reshjeve monsune

Të paktën 868 vdekje janë raportuar në Indi si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet monsune, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një raport i përgatitur më 12 gusht nga departamenti për menaxhimin e katastrofave i Ministrisë së Brendshme mbi gjendjen e shkaktuar nga përmbytjet tregoi se 868 njerëz kanë vdekur në 11 shtete deri më tani për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga sezoni i reshjeve monsune në vitin 2020, raportoi “Hundistan Times”.

Në raport thuhet se kjo shifër ishte 908 viktima në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

RK Jenamani nga Qendra Kombëtare e Parashikimit të Motit deklaroi se ishin dëshmitarë të shirave të jashtëzakonshme dhe ngjarjeve të ndryshme ekstreme të motit këtë vit.

“Për shembull, në një qytet në rajonin Jaipur ra 250 milimetra shi për metër katror brenda gjashtë orëve”, theksoi ai.

Ndërkohë, qindra mijëra njerëz që mbetën të pastrehë nga përmbytjet që dëmtuan mijëra hektarë tokë bujqësore, shtëpi dhe rrugë, janë zhvendosur në strehimore.

Në Azinë e Jugut, shirat monsune që godasin rajonin në periudhën qershor-shtator shkaktojnë fatkeqësi të mëdha natyrore dhe aksidente çdo vit.