Infantino u kërkon falje tifozëve anglezë
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje për komentet e tij lidhur me tifozët britanikë, të bëra muajin e kaluar gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Infantino kishte deklaruar se kupa e botës “Katar 2022” ishte e veçantë sepse, sipas tij, “për herë të parë në histori asnjë britanik nuk u arrestua”, shkruan IndeksOnline.
Kjo deklaratë e të parit të FIFA-s ngjalli reagime të shumta në Mbretërinë e Bashkuar.
I pyetur për këtë çështje në një intervistë për Sky News, presidenti i FIFA-s pranoi gabimin dhe kërkoi ndjesë publike.
“Së pari, duhet të kërkoj falje. Ishte menduar më shumë si një koment me nota humori, për të treguar se Kupa e Botës në Katar ishte një festë, një event paqësor ku të gjithë u bashkuan në mënyrë paqësore.
Të kesh tifozë anglezë, tifozë të vërtetë, që vijnë në mënyrë paqësore, shijojnë turneun dhe përkrahin ekipin e tyre, është diçka fantastike”, ka deklaruar Infantino./IndeksOnline/

