75 Mall Live Search
23:40 / E Hënë, 08 Shkurt 2021 / OSH

Apelon infektologu i njohur: Vaksinimi i shpejtë, thelbësor për ngadalësimin e varianteve të Covid-19

Mbrojtja më e mirë kundër varianteve të rinj të koronavirusit dhe pandemisë së COVID-19 është vaksinimi i sa më shumë njerëzve sa më shpejt që të jetë e mundur, tha të hënën eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci.

Gati 700 raste të lidhura me variante të koronavirusit janë identifikuar në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët amerikanë në një konferencë shtypi. Prej tyre, 690 raste janë nga një variant më ngjitës i zbuluar së pari në Britani, i quajtur B.1.1.7, i cili në mars mund të bëhet varianti dominues i Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë testime në shkallë të gjërë për varantet e reja të koronavirusit, kështu që numri aktual i rasteve të tyre ka të ngjarë të jetë më i lartë se shifrat zyrtare. Të gjitha viruset kalojnë nëpër faza të mutacionit, por shkencëtarët shqetësohen për ndryshimet tek viruset që i bëjnë ata më ngjitës ose më vdekjeprurës.

Dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, tha se ndërsa është e arsyeshme të studiohen vaksinat e kompanive Pfizer dhe Moderna për të parë nëse është i mundur vaksinimi me një dozë, duhen muaj për përfundimin e studimeve të këtij lloji, duke i bërë ato pothuaj të padobishme.