15:30 / E Mërkurë, 01 Shkurt 2023 / S Z

Infermierët e zhgënjyer me koeficientin Rrustemaj: Kot e kanë, kjo nuk i ndalë të largohen nga Kosova

Me koeficientin e  caktuar nga Qeveria e Kosovës i cili ka vlerën prej 105 euro, paga e Infermierëve  do të jetë 588 euro. E me këtë koeficient nuk po pajtohen infermierët, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer nga vlera e koeficientit, të cilën e ka përcaktuar Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës Naser Rrustemaj tha për “Indeksonline” se është i zhgënjyer nga vlera e koeficientit dhe se Këshilli Drejtues i cili do të mblidhet nesër në një takim, do të marrë vendim se si do të veprojnë më tutje.

“Çështja e koeficientit deri tani  është mbajtur e fshehur. Unë si kryetar nuk jam i kënaqur, e kam thirr Këshillin Drejtues dhe nesër do të marrim vendim për më tutje. Absolutisht jam shumë i zhgënjyer, po flas personalisht. Për nesër e kam thirr Këshillin Drejtues, ku do të diskutojmë dhe do të marrim vendime të mëtutjeshme”, tha ai.

Ndërsa thotë se ky koeficient mund të jetë dhe një arsye më shumë, që infermierët të largohen nga Kosova.

” As kjo pagë nuk ka me mund me i ndalë, kot e kanë”, tha ai./IndeksOnline/