Inflacioni në Kosovë: Çmimet e konsumit rriten mesatarisht 5.1% në tetor
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) në Kosovë u rrit në një mesatare prej 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Inflacioni mujor arriti në 0.6% në tetor 2025.
Rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga disa kategori të konsumit: pushimet e organizuara (23.7%), biletat e fluturimeve (21%), energjia elektrike (20.3%), pemët (15.3%), kafe, çaj dhe kakao (13.1%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (12.4%), mishi (12.3%) dhe shërbimet hoteliere (9%).
Ndërkaq, rënie u shënua te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-2.6%) dhe blerja e automjeteve (-1.2%).
Sipas ASK-së, krahasimi mujor tregoi se IHÇK ishte më i lartë me 0.6% në tetor 2025 krahasuar me shtatorin e njëjtë, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri dhe pelet (8.4%), energjisë elektrike (3.3%), perimeve (2.2%) dhe duhanit (2.2%), transmeton telegrafi.
Rënie e çmimeve u vërejt te biletat e fluturimeve (-6.8%) dhe pemët (-3.8%).
Norma mujore dhe vjetore e inflacionit, sipas IHÇK, vazhdon të tregojë presion mbi çmimet e konsumit në vend, duke reflektuar ndryshime të ndjeshme në disa nga grupet kryesore të konsumit, veçanërisht energjinë, ushqimin dhe shërbimet turistike.

