11:49 / E Hënë, 04 Prill 2022 / B O

Inflacioni në Turqi shkon në shifra rekorde!

Inflacioni në Turqi u rrit në më shumë se 60 për qind në mars. Çmimet e konsumit u rritën me 61.14 për qind në mars krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Njoftimi është dhënë nga Enti i Statistikave të Turqisë.

Në muajin shkurt, norma e inflacionit ishte tashmë në 54.5 për qind, niveli më i lartë në 20 vjet. Inflacioni i çmimeve të konsumit po ndikohet nga sulmi rus ndaj Ukrainës.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë partnerë të rëndësishëm tregtarë për Turqinë.

Lufta ka pasur ndikim në kostot e energjisë dhe furnizimin me drithë, shkruan Indeksonline.

Industria turke e turizmit po ndjen gjithashtu efektet, pasi shumë turistë rusë zakonisht vizitojnë këtë shtet.

Çmimet e larta të konsumit janë bërë një nga çështjet më të rëndësishme në politikën turke muajt e fundit. Pavarësisht inflacionit të shfrenuar në vend, banka qendrore kohët e fundit e kishte lënë të pandryshuar normën bazë të interesit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është një kundërshtar i deklaruar i normave të larta të interesit, të cilat shihen si një mjet për të luftuar inflacionin./Indeksonline/