75 Mall Live Search
17:04 / E Mërkurë, 10 Dhjetor 2025 / S Z

Çmimet shkojnë në “qiell”, këto produkte u shtrenjtuan s’fundmi në Kosovë

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5. 3 për qind në muajin nëntor 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit. Ndërkaq, inflacioni mujor ishte 0,4 për qind në muajin nëntor 2025.

Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve të konsumit kanë pësuar pemët me 16,1%, energjia elektrike me 15,5% për qind, bileta të fluturimeve me 14,6%, mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit me 14,1%.

Po ashtu sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe kafe, çaji dhe kakao u shtrenjtuan me 14 %, mish me 13,7%; pushime të organizuara me 13,5%, qumështi, djathi dhe vezë me 10,5% si dhe lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 9,6%.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5,3% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin nëntor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (18,1%); pemë (16,1%); energji elektrike (15,5%); bileta të fluturimeve (14,6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (14,1%); kafe, çaj dhe kakao (14,0%); mish (13,7%); pushime të organizuara (13,5%); qumësht, djathë dhe vezë (10,5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (9,6%); shërbime ambulantore (8,9%); shërbime hoteliere (8,8%); pajisje terapeutike (8,4%); duhan (6,4%); kujdes personal (5,9%); vajra dhe yndyra (5,9%); prodhime ushqimore (5,8%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,3%); bukë dhe drithëra (5,2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (5,0%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (4,5%); pije alkoolike (4,4%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4,2%); arsim (3,8%); gjëra personale (3,7%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (3,5%); perime (3,3%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3,0%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (2,9%); veshje (2,7%); dhe transport rrugor i udhëtarëve (1,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 5,4 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 0,8%, dhe blerje e automjeteve me 0,5%.

Ndërsa, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,4% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin tetor 2025.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (5,1%); qumësht, djathë dhe vezë (4,2%); perime (3,0%); energji elektrike (1,8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (1,6%); mish (1,1%); kujdes personal (1,0%); kafe, çaj dhe kakao (1,0%); dhe blerje e automjeteve (0,6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,6 për qind në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas kësaj agjencie, në këtë periudhë rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: bileta të fluturimeve me 15,9%) dhe pushime të organizuara (-8,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,2 për qind në IHÇK.