Inicialet e 2 kosovarëve të arrestuar, që tentuan transportimin e 15 kg marihuanë, në Serbi
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarve F.H. dhe A.N., me dyshimin se kanë kryer veprën penale: “’Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar që, më 08 shtator 2019, rreth mesnatës, të dyshuarit në bashkëveprim, me dashje dhe pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike marihuanë’, prej 15 kg, të cilën e kanë pasur të mbështjellë në një valixhe.
Të dyshuarit, janë dakorduar që këtë substancë narkotike përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë’, ta transportonin në Republikën e Serbisë, mirëpo pasi janë afruar te pika kufitare, nga frika që të mos hetoheshin nga organet e ndjekjes, në një distancë prej 500 metrash, ata e kanë hedhur nga dritarja e automjetit, me qëllim që të shmangnin identifikimin e tyre, ku më 31 tetor 2019, janë identifikuar dhe arrestuar”, thuhet në komunikatë.
Në këtë rast, është i përfshirë edhe një person i dyshuar, i cili për momentin gjendet në arrati./Indeksonline/