75 Mall Live Search
22:56 / E Shtunë, 14 Qershor 2025 / MSH

Inskenuan rrëmbimin e një djali në Mitrovicë, policia dënon tre të rinj

Tre të rinj nga Mitrovica janë shoqëruar në Stacionin Policor Jugu, pasi kishin inskenuar një rrëmbim.

IndeksOnline kishte pranuar me shqetësim një video të publikuar në rrjetin social “TikTok” nga një i ri J.I., i cili dyshohet se kohë pas kohe nxit dhunë përmes profilit të tij, në këtë platformë.

I dyshuari në fjalë fillimisht kishte paralajmëruar marrjen peng të një moshatari, duke thënë se do ta lidhë në sytë e të tjerëve, pasi e kishte sharë.

Më vonë, ai kishte postuar video nga “marrja e pengut” ku shfaqej një i ri, gjysmë i zhveshur dhe me qese të zezë në kokë.

Lidhur me këtë, nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Mitrovicës thonë për IndeksOnline se të rinjtë kanë deklaruar se janë shokë mes vete ndërsa video-incizimi ka qene i planifikuar nga ana e tyre në forme shakaje.

“Lidhur me këtë rast është konsultuar prokurori i cili ka dhënë udhëzimin se në këtë rast nuk ka elemente të veprës penale por bëhet fjalë për prishje të rendit dhe qetësisë publike. 

Andaj ndaj tre personave, policia ka shqiptuar gjobën për kundërvajtje në shumë prej 500 euro, bazuar në Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike” deklaron policia për IndeksOnline.

Videoja e rrëmbimit të inskenuar më nuk ekziston në profilin e të dyshuarit./IndeksOnline/