75 Mall Live Search
23:38 / E Shtunë, 14 Mars 2020 / indeksADMonline

Inspekcioni i punës çdo ditë në kontrolla, shikon a janë të mbrojtur punëtorët

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se Inspekcioni i Punës do të jetë në terren çdo ditë të javës për tu siguruar që në vendet e punës janë të pajisur me paisje personale mbrojtëse, shkruan IndeksOnline.

Në njoftim IP bën thirrje për bashkëpunim dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve.

Komunikata e plotë:

Për shkak të gjendjes me të cilën po ballafaqohemi dhe në zbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me virusin Covid 19, japim këtë komunikatë:

Inspektorët e Punës do të jenë në inspektim çdo ditë të javës, për tu siguruar që në vendet e punës ku është i lejuar aktiviteti punues, të punësuarit janë të pajisur me paisje personale mbrojtëse dhe janë duke ushtruar veprimtari të sigurtë dhe të shëndetshme në vende pune.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, të gjitha palët obligohen të bashkëpunojnë me Inspektoratin e Punës.

Bazuar në situatën në të cilën gjendemi dhe në zbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, inspektimeve që lidhen me virusin Covid 19 duhet t’iu jepet prioritet. Ankesat që janë duke i trajtuar inspektorët dhe të cilave iu kalon afati, të njoftohen palët për shtyerje të afatit sipas Ligjit Nr. 05/L-031 Për Procedurën e Përgjithshme Administratrive.

Luten palët të cilat kanë ankesa të zakonshme dhe që nuk lidhen me virusin Covid 19 që të presin deri në kalimin e kësaj gjendje apo së paku ankesat e tyre t’i dërgojnë përmes postës elektonike tek udhëheqësit rajonal, në rajonin (komunën) në të cilin supozohet që është shkelja. Adresat e udhëheqësve rajonal i gjeni në këtë link: https://ip.rks-gov.net/?page_id=2558

Kërkohet nga të gjitha palët të cilat konsiderojnë që po u shkelen të drejtat nga Marrëdhënia e Punës por edhe Siguria dhe Shëndeti në Punë dhe që afektohen nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, t’i drejtohen Inspektoratit të Punës, përmes numrit pa pagesë 0800 77 5 77 apo në e-mail zyrtar: inspektoratipunes@rks-gov.net.

Ftohen punëtorët, punëdhënësit dhe të gjitha palët që të respektojnë rekomandimet e institucioneve përkatëse!
KUJDES PO! PANIKË JO!