75 Mall Live Search
11:07 / E Premte, 18 Tetor 2019 / indeksADMonline

Inspeksioni kontrollon oraret e punës në klubet e natës, në Mitrovicë

Mbrëmë, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, në bashkëpunim me policinë kanë kryer kontrolle inspektuese sipas detyrës zyrtare në disa subjekte afariste në qytetin e Mitrovicës.

Në komunikatë thuhet se qëllimi i këtyre inspektimeve ka të bëjë me respektimin e orareve të punës nga bizneset e përfshira në këtë kontroll të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pas orës 23:00, ndërsa nga Drejtoria e Inspeksionit këto subjekte afariste janë udhëzuar të pajisen me leje të veçanta për zgjatje të orarit të punës.

Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 4 subjekte afariste, ku pas inspektimit është kërkuar që të respektohet Rregullorja komunale nr. 03/2014 për caktim të orarit të punës për subjektet afariste.

Drejtoria e Inspeksionit do të vazhdojë edhe më tutje me aksione të tilla si dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj pronarëve, të cilët neglizhojnë rregullat lidhur me respektimin e orarit zyrtar të paraparë./Indeksonline/