75 Mall Live Search
18:57 / E Enjte, 20 Mars 2025 / Z S

Inspektime për mbrojtjen nga zjarri në bizneset me frekuentim të lartë – Sveçla paralajmëron masa të rrepta

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se prej dy ditësh, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME), me mbështetjen e Policisë së Kosovës, ka nisur inspektime në biznese dhe ambiente me frekuentim të lartë të qytetarëve, për të monitoruar respektimin e masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri.

Sipas tij, këto inspektime, të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë dhe do të vazhdojnë në të gjithë Kosovën, kanë konstatuar mangësi në disa subjekte sa i përket standardeve të sigurisë kundër zjarrit.

Sveçla ka deklaruar se për këto raste, është lënë një afat për përmbushjen e kërkesave ligjore.

Postimi I plotë:

Me urdhëresën time, prej dy ditësh Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave me mbështetjen e Policisë së Kosovës ka filluar me inspektime në subjekte afariste ku ka frekuentim të lartë të qytetarëve, me qëllim të monitorimit të respektimit të masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri.

Nga këto inspektime të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë dhe do të zhvillohen në vazhdimësi në gjithë Republikën e Kosovës, është konstatuar se në disa subjekte nuk është plotësuar standardi i sigurisë rreth masave për mbrojtje nga zjarri me ç’rast është dhënë afati për plotësimin e kërkesave ligjore për ambiente të sigurta për qytetarët.

Në rast të mosrespektimit të sigurimit të masave brenda afatit të dhënë kohor, do të ndërmerren masa më të ashpra, të menjëhershme dhe pa asnjë kompromis.

Mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioritet dhe nuk do lejojmë të rrezikohet në asnjë formë./Indeksonline/