Inspektorati i Punës nxjerr vendim në favor të Argjend Sefës, obligohet Posta ta kthej në pozitën e Sekretarit

Inspektorati i Punës ka miratuar vendimin në favor të Argjend Sefës, për kthim në vendin e punës si këshilltar të përgjithshëm- sekretar i Korporatës… në Postën e Kosovës, raporton IndeksOnline.
“Është e bazuar ankesa e Argjent Sefës, e dorëzuar në IP më 17.08.2020, kundër vendimit të Bordit të përkohshëm të drejtorëve të “NP Posta e Kosovës sh.a”, të 05.08.2020”, thuhet në vendimin e IP-së.
Inspektorati ka konstatuar se vendimi i Bordit të përkohshëm të drejtorëve të “Postës së Kosovës sh.a.”, për shkarkim të Argjend Sefës, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr.03/L-212 të punës: neni 70, paragrafi1.51 1.6.1, 1.6.2, paragrafi 3, neni 71, paragrafi 2, neni 5, paragrafi 1, 2 dhe 5.
Obligohet punëdhënësi “Posta e Kosovës sh.a”, të anulojë vendimin me nr.prot 01-1312/20, të 05.08.2020.
“Të njoftohet Inspektorati i Punës brenda 8 ditësh, për veprimet dhe eliminimet e parregullsive të konstatuara. Në rast të mosekzekutimit të këtij vendimit ndaj subjektit, do të shqiptohet masa e ndëshkimit me gjobë, për mosekzekutim të vendimit në përputhje me dispozitave të Udhëzimit administrativ të MPMS nr.07/2012 për shkeljet e neneve të sipërcekura”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Sefa në ankesën e paraqitur në Inspektoratin e Punës, ka atakuar vendimin meqenëse e konsideron si të padrejtë dhe pa paralajmërim, shkarkimin nga pozita e këshilltarit të përgjithshëm- sekretarit të Korporatës… në “Postën e Kosovës sh.a.”
Sipas pretendimit të Sefës, kontrata e punës nga Bordi i drejtorëve të “PK sh.a.” është ndërprerë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi. Dhe ka kërkuar nga Inspektorati i Punës, që në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, të mbrohen të drejtat e tij nga marrëdhënia e punës.
Inspektorati i Punës pas shqyrtimit të ankesës dhe dokumentacionit të dorëzuar nga palët, arrin në këtë konstatim të gjendjes juridike dhe faktike.



