16:54 / E Diele, 17 Mars 2019 / indeksADMonline

Inspektorati jep detaje për rreshterin që dyshohet se vrau të riun në Suharekë

Dy vrasje që ndodhën sot në Suharekë, tronditën gjithë vendin.

E i riu Jetmir Aliaj mbeti i vdekur gjatë orarit të punës në një lokal kazinoje dhe sipas hetimeve të para del që është vrarë nga një rreshter në stacionin policor në Prizren.

Lidhur me këtë Inspektorati i Policisë së Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me arrestimin e të dyshuarit në fjalë.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot nga Policia e Kosovës për një rast gjuajtje me armë zjarri në Suharekë i cili kishte ndodhur në një lokal (kazino)  në rrugën “Skënderbeu” në fshatin Reshtan të Suharekës.Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kompetent dhe pas grumbullimit të informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, dyshohej për përfshirjen e një zyrtari policor si të dyshuar në këtë rast.Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pas orës 12:00 të dyshuarin Sh. S (zyrtar policor me gradën e rreshterit) me dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin për media.

Me urdhëresë të prokurorisë, hetuesit e IPK-së së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar një bastisje në banesën e të dyshuarit në Suharekë dhe në një shtëpi banimi.

Gjatë kësaj bastisje është konfiskuar një armë e tipit “Glock 9×19”, dy karikatorë si dhe disa fishekë.

Të dyshuarit tashmë të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente”, thuhet në komunikatë për media nga IPK./Indesonline/