75 Mall Live Search
13:44 / E Mërkurë, 17 Mars 2021 / k.v

Inspektorët komunalë largojnë shitësit ambulant nga trotuaret në Mitrovicë

Drejtoria e Inspektoratit në koordinim me policinë e stacionit – Jugu në Mitrovicë, si edhe KRM “UNITETI”, gjatë ditës së sotme kanë realizuar një aksion për lirimin e trotuareve nga shitësit që shesin mallra dhe produkte ushqimore, në hapësirat publike përballë xhamisë “Isa Beg” në Mitrovicë.

Për lirimin e atyre hapësirave ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për pengim të lëvizjes së lirë.

Lidhur me këtë aksion, drejtori i Inspektoratit, Fidan Ademi, ka thënë se këto hapësira do të jenë përherë të lira, ku çdo ditë do të jenë të pranishëm për inspektim, inspektorët komunalë dhe Policia e Kosovës, deri sa të mos ketë ekspozim të mallrave nëpër trotuare dhe të mos ketë pengesa në lëvizjen e qytetarëve.