75 Mall Live Search
18:31 / E Hënë, 28 Prill 2025 / FR

Inspektori e “bën rugovistin” në statusin e Abdixhikut, Shkëmb Manaj mbledhë fakte: Shihemi në Prokurori!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj ndërhyrjeve institucionale që, sipas tij, po bllokojnë punët në projektet zhvillimore të Kryeqytetit. Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka akuzuar një komision e një ministrie për pengimin e punëve publike, me arsyetime të pabazuara mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Bllokues në shtet. Bllokues në punë! Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen! Prishtina, nuk ndalet!”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se një komision i një ministrie me “inspektorë partiakë e idhnakë” po tentojnë të ndalojnë projektet zhvillimore nën arsyetimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Reagimi i tij ka nxitur një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë nga një inspektor i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Xh. Krasniqi, i cili e akuzoi Abdixhikun për dezinformim dhe përfaqësim të interesave klanore brenda LDK-së. Ai tha se gjithmonë ka qenë pjesë e një LDK-je me ide të qarta rugoviane dhe se vendimet për ndalimin e punimeve janë marrë në përputhje me ligjin.

“LDK e shkollës Rugoviane na ka mësuar se shteti ligjor duhet të jetë mbi çdo interes politik apo individual,” ka shkruar Krasniqi, duke akuzuar Abdixhikun për manipulim të opinionit publik dhe lidhje me interesa ditore politike.

Në këtë “përplasje” është përfshirë edhe nënkryetari i LDK-së, Shkëmb Manaj, i cili ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së inspektorit, duke e cilësuar si deklaratë me prapavijë politike dhe duke kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit.

“Ky koment do të deponohet në Prokurori të Shtetit! Është qartësisht një qëndrim politik i maskuar si institucional!”, ka deklaruar Manaj.

Debatet vijnë në një moment kur projektet infrastrukturore në Prishtinë janë bërë objekt i debateve të mëdha politike dhe institucionale, me akuza të ndërsjella për bllokim, ndërhyrje politike dhe shkelje të ligjit për trashëgiminë kulturore./IndeksOnline/