75 Mall Live Search
10:44 / E Mërkurë, 05 Mars 2025 / k.v

Inspektori i ATK-së lirohet nga akuza për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Samir Smajlit, i cili në cilësinë e inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) akuzohej për marrje ryshfeti.

Aktgjykimi ndaj Smajlit u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas arsyetimit të dhënë nga gjyqtarja Dermaku, nuk është provuar se Smajli ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Ndërsa, kundër të akuzuarit tjetër Behxhet Bici, gjykata ka shpallur aktgjykim refuzuar për shkak se është arritur parashkrimi absolut.

Lidhur me këtë vendim, gjyqtarja njoftoi palët për të drejtën e ankesës në afat prej 30 ditësh, ndërsa shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës.

Sipas aktakuzës së ngritur, më 1 qershor 2020, i akuzuari Samir Smajli, në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, në vitin 2019, në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është takuar me të akuzuarin Behxhet Bici, drejtorin e agjencisë turistike “Bici – Com”, nga i cili ka kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 7,000 eurosh.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se, i akuzuari Smajli ka kërkuar shumën e lartcekur me qëllim që të ndihmojë pronarin e kompanisë “Bici” rreth rimbursimit të mjeteve prej 166.000, e cila kërkesë paraprakisht ishte refuzuar nga ATK dhe duke i thënë se kërkesa e tij për rimbursim do t’i aprovohet.

Për këto veprime, Smajli akuzohej se ka kryer veprën penale, “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërsa, Behxhet Bici akuzohej për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, për të njëjtën gjendje faktike të përshkruar në dispozitivin e parë.