11:45 / E Enjte, 02 Maj 2019 / indeksADMonline

Institucionet e sigurisë të gatshme për zgjedhjet në veri

Institucionet e sigurisë kanë bërë të ditur se kanë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen në veri të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për medie prokurorja, Laura Pula, sipas së cilës, prokurorët do të monitorojnë vendvotimet 24 orë.

“Ne jemi të angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe këtë do ta bëjmë edhe në këto zgjedhje të 19 majit. Ne kemi memorandum bashkëpunimi te miratuar në mes institucioneve relevante për koordinim që vë në efikasitet keqpërdorimin e votës së qytetarëve”, tha Pula.

Edhe në këto zgjedhje, sipas saj, do të angazhohen prokuror të mjaftueshëm në 4 komuna që do të kujdestarojnë 24 orë.

Pula tha se është arritur që të sensibilizohet opinioni i gjerë që të mos ketë keqpërdorime të votave, përndryshe do të ballafaqohen me ligjin.

“Në të kaluarën ka pas probleme me manipulime të votave, por me instalimin e këtyre veprimeve ne kemi arrit që në një mënyrë të sensibilizohet opinioni se keqpërdoruesit e votave do ballafaqohen me ligjin”, tha Pula.

Ndërsa Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, tha se Policia po bën përgatitjet e fundit bashkë me KQZ-në që të monitoroj zgjedhjet në mënyrë që gjithë procesi të shkojë pa probleme.

“Policia e Kosovës së bashku me KQZ-në është duke i bërë përgatitjet e fundit. PK-ja do të jetë e angazhuar gjatë fushatës parazgjedhore për tubimet që do të mbahen. PK-ja do të përkujdeset për materialet zgjedhore, pas përfundimit të zgjedhjeve përcjelljen e materialeve deri në shpalljen e zgjedhjeve”, tha Ahmeti.