18:35 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Institucionet financiare që s’lëshojnë kuponë fiskal në Kosovë, i pret ky dënim!

Të gjithë personat në Kosovë që merren me furnizimin e mallrave apo shërbimeve që ofrohen në objekte, njësite apo vende që kanë qasje me publikun, obligohen  që të përdorin pajisje elektronike fiskale (PEF).

E, gjithë kjo duke u bazuar në nenin 13 të ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat ligjore, po ashtu edhe tek neni 4 i udhëzimit Administrativ Nr.01/2015, shkruan Indeksonline.

Por, me përjashtim të disa rasteve, atëherë kur kërkohet të lëshohet faturë tatimore në përputhje me legjislacionin tatimor.

Gjithashtu edhe printimi dhe dhënia e kuponëve fiskal për konsumatorët pa dyshim se është detyrim qysh në momentin kur bëhet regjistrimi i furnizimit me PEF.

Lidhur me këtë, ‘Indeksonline’ në një përgjigje nga ATK-ja ka mësuar se cilët persona obligohen të posedojnë pajisje elektronike fiskale.

“Të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë PEF dhe pajiset tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve”.

Mirëpo, transaksionet financiare biznes-biznes, sipas ATK-së nuk obligohen të lëshojnë kuponin fiskal.

“Pra, për të gjitha furnizimet të cilat janë për konsumatorin e fundit (Personat Fizik), biznesi obligohet te lëshoi kupon fiskal, edhe ne rastet kur pagesa behet përmes POS-it bankar apo edhe llogaris bankare. Ndërsa, për transaksionet biznes – biznes, bizneset obligohen të lëshojnë faturë tatimore sipas legjislacionit tatimor dhe nuk obligohen të lëshojnë kupon fiskal”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Më tej, lidhur me dështimin për të deklaruar një informatë ose ai që deklaron një deklarate të pasaktë apo jo komplete, duke përfshirë informacionet e aplikimit për të marrë lejen për shfrytëzim, lidhur me punën e një pajisje elektronike fiskale janë të përcaktuar disa sanksione në bazë të nenit 53 të ligjit Nr.03/L-222.

Ligj ky i cili është ndryshuar dhe plotësuar me lijgin Nr.04/L-102, ligjin nr.04/L-105 dhe ligjin Nr.04/L-223 mbi Administratën Tatimore dhe procedurat.

Ndërsa në rast se nuk ju lëshohet kuponi fiskal konsumatorëve, dënimi mund të jetë deri një mijë euro.

“Dënimi për mos lëshimin e kuponit fiskal shkon nga 125 deri në 1000 euro”, thuhet më tej në përgjigje.

Ndryshe, ATK deri në muajin tetor të këtij viti  nga të hyrat tatimore ka inkasuar 351 milionë euro, me ç’rast ka shënuar rritje prej 4.4 %. Me këtë rast, për dallim me vitin paraprak të hyrat janë rritur për 14.7 milionë më shumë./Indeksonline/