75 Mall Live Search
16:53 / E Mërkurë, 21 Maj 2025 / Z S

Inteligjenca amerikane: Izraeli mund të sulmojë objektet bërthamore të Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë marrë informacione që dëshmojnë se Izraeli po përgatitet për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të administratës Trump për të negociuar një marrëveshje me Teheranin.

Lajmi është bërë publik nga CNN, ku citohen burime të shumta të inteligjencës amerikane, të cilat paralajmërojnë se një sulm i tillë do të rrezikonte përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas zyrtarëve amerikanë, nuk është e qartë nëse qeveria izraelite ka marrë një vendim përfundimtar.

Cnn shkruan se brenda administratës amerikane ka mosmarrëveshje lidhur me mundësinë që Izraeli të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Iranit. Duket se sulmi varet nga negociatat amerikane me Iranin mbi programin bërthamor, të cilat aktualisht janë në ngërç.

Shqetësimet u shtuan edhe nga lëvizjet e inteligjencës izraelite, përfshirë mobilizimin e municioneve ajrore dhe përfundimin e stërvitjeve ushtarake. Megjithatë, disa burime të tjera për CNN theksojnë se këto lëvizje mund të kenë si qëllim presionin ndaj Iranit, në mënyrë që ky i fundit të heqë dorë nga kërkesat kryesore në programin e tij bërthamor.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake nëse negociatat për një marrëveshje bërthamore me Iranin dështojnë.

Afat kohor i vendosur nga Trump për përpjekjet diplomatike, tashmë ka kaluar.

Izraeli, i cili është nën presion të brendshëm për të kundërshtuar çdo marrëveshje që e konsideron të pafavorshme, mund të veprojë vetë nëse SHBA-të pranojnë një “marrëveshje të keqe” me Iranin.

Megjithatë, Izraeli nuk ka kapacitet të shkatërrojë tërësisht programin bërthamor iranian pa mbështetjen amerikane.

Në anën tjetër, Irani ndodhet në një nga momentet më të dobëta ushtarake në dekada, për shkak të goditjeve izraelite ndaj infrastrukturës së tij dhe sanksioneve të rrepta ekonomike.

Aktualisht, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të ngecura për shkak të kërkesës amerikane që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit, proces ky që Teherani e konsideron një të drejtë legjitime.

Një raund tjetër bisedimesh mund të zhvillohet së shpejti në Evropë, por ende nuk ka miratim të plotë për ndonjë marrëveshje të re nga Presidenti Trump.

Burimet e inteligjencës amerikane kanë paralajmëruar se Izraeli mund të ndërmarrë sulme ushtarake këtë vit ndaj objektivave kyçe bërthamore iraniane, megjithëse këto sulme nuk do të ndalojnë përfundimisht programin bërthamor të Iranit.