00:01 / E Premte, 28 Korrik 2023 / AR

Inteligjenca amerikane: Kina mund t’i japë teknologji ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë

Inteligjenca amerikane sugjeron se Kina “ka të ngjarë” t’i sigurojë Rusisë teknologji ushtarake për t’u përdorur në Ukrainë.

Një raport zyrtar, i deklasifikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) tha se Kina po ofronte pajisje me përdorim të dyfishtë, pavarësisht sanksioneve të përhapura ndërkombëtare dhe kufizimeve mbi eksportet.

Raporti pretendon se të dhënat doganore tregojnë se “kompanitë shtetërore të mbrojtjes të Kinës [po] dërgojnë pajisje navigimi, teknologji bllokimi dhe pjesë të avionëve luftarakë për kompanitë e mbrojtjes të sanksionuara në pronësi të qeverisë ruse”.

Kjo i bën jehonë shqetësimeve të ngritura javën e kaluar nga Emmanuel Bonne, këshilltari më i lartë diplomatik i presidentit francez Macron.

Zoti Bonne i tha CNN-it se Kina po i dërgonte Rusisë sende që mund të përdoreshin si pajisje ushtarake, megjithëse jo në një shkallë të gjerë.

Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur dërgimin e pajisjeve ushtarake në Rusi që nga pushtimi i përgjithshëm i Moskës në Ukrainë në shkurt 2022. 

Raporti ODNI akuzoi gjithashtu Kinën për ndihmën e Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore duke nxitur tregtinë dypalëshe, duke thënë se ajo ishte bërë një “partner edhe më kritik” i Rusisë vitin e kaluar.

Ai tha se Kina ka rritur importet e saj të energjisë ruse, duke përfshirë naftën dhe gazin e ridrejtuar nga Evropa, dhe ka zgjeruar përdorimin e saj të sistemeve të pagesave të brendshme të Rusisë.