22:58 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

Inter lë shpirtin, “Zonja e Vjetër” merr pikët!

Juventusi ka arritur të fitojë në udhëtim derbin e Italisë ndaj Interit me rezultat 2-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të Serie A. 

Takimi filloi më mirë për bardhezinjtë, që u shfaqën më kërkues dhe arritën të gjejnë edhe golin e avantazhit, në minutën e 13’, kur Douglas Costa shfrytëzoi një rreshtim të gabuar të Candrevës dhe ndëshkoi Handanoviç.

Vetëm dy minuta më pas, gjithçka u komplikua për Interin, pasi mesfushori uruguaian Vecino, në një top të diskutueshëm me Mandzukiç, shkel me takë kroatin dhe pas VAR-it, Orsato vendos t’i tregojë kartonin e kuq.

 

Zikaltrit nuk dorëzuan gjithsesi dhe kërkojnë golin e barazimit, që e gjejnë në minutën e 52-të, kur Icardi devijon në rrjetë një top të krosuar në zonë nga portugezi Joao Cancelo


. Në minutën e 58’, “San Siro” ulëret sërish, këtë herë pasi Orsato vendos të falë Miralem Pjaniç, që kishte një karton të verdhë dhe nuk merr të dytin, ndonëse ndërhyrja ndaj Rafinhës ishte vërtetë e ashpër.

Në minutën e 65-të tifozëria zikaltër do të kalonte sërish në delir, pasi Perisiç bën gjithçka mirë në krahun e majtë, futet në zonë dhe kërkon pasimin për Icardin, por Barzagli ndërhyn më përpara dhe devijon topin në rrjetën e Buffon.

Zikaltrit nuk e besojnë ende, pasi me një lojtar më pak, sapo kanë përmbysur rezultatin, ndërsa në krahun tjetër, Allegri kryen të 3 zëvendësimet, duke hedhur në fushë Dybalën, Bernardeschin dhe Bentancour, ndërsa pikërisht argjentinasi i afrohet golit të barazimit me goditje dënimi, por Handanoviç bën mrekullinë, duke grushtuar.

Gjithsesi barazimi për skuadrën e Allegrit vjen në minutën e 87’, kur Cuadrado bën gjithçka mirë në zonë dhe kthen një pasim drejt qendrës, që Skriniar e devijon në rrjetën e Handanoviç.
Vetëm dy minuta më pas, është Higuain që shënon golin e avantazhit për bardhezinjtë, pasi sheh sërish Santon të gabojë dhe rikthen edhe njëherë Juventusin në avantazh.