15:23 / E Premte, 16 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Inter pa 3 yjet kryesorë në Genova, konfirmohen mungesat

Do të jetë një Inter i cunguar nga mungesat ai që do të zbresë në fushë mbrëmjen e kësaj të shtune në stadiumin Marassi përballë Genoas. Konfirmohen tashmë mungesat e kapitenit Mauro Icardi, sulmuesit kroat Ivan Perisic dhe mbrojtësit brazilian Joao Miranda.

Të tre futbollistët nuk bëjnë pjesë në listën e të grumbulluarve nga trajneri Luciano Spalletti, për këtë transfertë delikate që mund të vendosë shumë për një kualifikim të mundshëm të zikaltërve në Champions League sezonin e ardhshëm.

Nëse për Mirandën i cili pësoi një tërheqje muskulore në ndeshjen e fundjavës së kaluar ndaj Bolognës dihej që do të mungonte, Icardi e Perisic edhe këtë premte janë stërvitur të veçuar nga grupi në palestër, duke mos mundur dot të rikuperohen në kohë nga dëmtimet respektive. Shtohen dhimbjet e kokës për Spallettin që gjithsesi në këtë ndeshje do të konfirmojë Karamoh në formacionin titullar ndërkohë që mund ta nisë nga minuta e parë edhe braziliani Rafinha.