InTER reagon për zjarrin në deponinë “Luçka Reka”: Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme

Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER) ka reaguar për zjarrin e pakontrolluar që prej më shumë se dhjetë ditësh e ka përfshirë deponinë sanitare “Lučka Reka” në komunën e Zubin Potokut.
Në deklaratën e publikuar, InTER thekson se tymi i dendur dhe toksik nga deponia po përhapet përgjatë luginës së lumit Ibër, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik dhe mjedisin në zonat përreth, përfshirë edhe Mitrovicën.
Sipas InTER, institucionet lokale dhe qendrore nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme, pavarësisht rrezikut të shtuar nga prania e gazit metan, që mund të shkaktojë shpërthime. Organizata kërkon angazhimin urgjent të makinerive dhe personelit të specializuar për të vënë zjarrin nën kontroll, duke paralajmëruar pasoja të rënda mjedisore nëse nuk veprohet menjëherë.
InTER u bën thirrje institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit lokal për një reagim të koordinuar ndaj kësaj krize.