08:57 / E Premte, 24 Maj 2019 / indeksADMonline

Interesim i madh i studentëve për Universitetin veror

Ka përfunduar aplikimi i studentëve të interesuar për të marrë pjesë në edicionin e 19 të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili tradicionalisht mbahet gjatë muajit korrik.

Drejtoresha e këtij programi, Lumnije Bajrami, tha për Radio Kosovën se edhe këtë vit interesimi për pjesëmarrje është shumë i madh, derisa konfirmoi se përgatitjet tashmë kanë filluar.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili sivjet përmban 17 kurse nga të gjitha fushat studimore dhe fillon më 8 korrik”, tha ajo.

Drejtoresha e këtij kursi, Lumnije Bajrami, tha se tashmë ka përfunduar edhe faza e aplikimit online për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë në këto programe studimore. Bajrami tha se për një program do të pranohen më së shumti 25 studentë.

“Çka vlen për t’u cekë se studentët kur aplikojnë kanë tri mundësi aplikimi, të përcaktohen për zgjedhjen e tyre të parë të dytë, të tretë, pastaj varësisht nga konkurrenca, sepse disa programe mund të kenë konkurrencë më shumë e disa më pak, atëherë studentët që nuk pranohen në programin e parë mund të përcaktohen për kursin e dytë ose të tretë”.

Pas kësaj faze, Bajrami tha se studentët vendorë do t’i nënshtrohen një testi të gjuhës angleze, kurse ata ndërkombëtarë të sigurojnë dëshmi për një gjë të tillë.

Në UVP, edhe profesorët pjesëmarrës janë nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të ligjërojnë krahas profesorëve vendorë.

“Sa i përket profesorëve ndërkombëtarë të cilët marrin pjesë këtë herë, kemi profesorë nga SHBA-ja, Gjermania, Japonia, India, Pakistani. Pra, pak a shumë është një laramani e vendeve të cilat kanë aplikuar, secili kurs ka një profesor vendor dhe një ndërkombëtar. Përveç kurseve, më vonë do të përzgjedhim edhe vork-shopet të cilat do të kenë mundësi t’i përzgjedhin studentët”.

Universiteti Veror Ndërkombëtar mbahet nga 8 deri më 19 korrik, derisa përveç kurseve gjatë kësaj kohe organizohen edhe dy ekskursione në vende të ndryshme të Kosovës, koncerte, shfaqje e vizita.

Studentët vendorë pjesëmarrjen në UVP e kanë falas, kurse ata ndërkombëtarë paguajnë 100 euro për akomodim, ushqim dhe ndjekje të kursit.