17:04 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Interesim i madh për tu bërë policë, aplikojnë rreth 18 mijë të rinj

Më shumë se 17 mijë të rinj dhe të reja kanë aplikuar në konkursin për polic, i cili zyrtarisht është mbyllur dje.

Ndonëse zyrtarisht nuk është thënë se sa është numri i atyre që do të pranohet mësohet se i njëjti nuk do ta kalojë 300-shin.

Zëdhënës i Policisë  së Kosovës, Daut Hoxha, nëpërmjet postës elektronike  ka thënë për “Indeksonline”  se interesimi i të rinjve për të qenë policë është  mjaft i madh.

Deri dje kur edhe është mbyllur konkursi, sipas Hoxhës janë pranuar gjithsej 17 mijë e 500 aplikacione, mirëpo gjasat janë që numri të jetë më i madh  pasi që ende po vazhdon procesi i regjistrimit të aplikacioneve.

“Interesimi i të rinjve dhe të rejave nga të gjitha komunitetet ka qenë mjaft i madh për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës dhe për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve. Konkursi për zyrtar policor është mbyllur me datë 10 maj dhe deri me këtë datë janë pranuar rreth 17 mijë e 500 aplikacione. Meqenëse ende është në proces regjistrimi i aplikacioneve në sistem dhe vetëm pas regjistrimit të të gjitha aplikacioneve dihet numri i saktë”, ka bërë të ditur Hoxha.

Konkursi është hapur më 16 prill dhe të drejtë konkurrimi kanë personat, shtetas të Kosovës prej moshës 18 deri 30 vjeqare./Indeksonline/