75 Mall Live Search
10:38 / E Martë, 24 Tetor 2023 / S Z

Interesim më i madh i femrave për të studiuar Teknologji Informative

Është rritur numri i femrave në Kosovë, të cilat studiojnë në fushën “Teknologjia Informative dhe Komunikimi (TIK)”.

Kështu ka bërë të ditur ASK në statistikat e publikuara për Arsimin e Lartë, sipas fushave të studimit për vitin akademik 2022/2023,

Sipas ASK-së në fushën e studimit “Teknologjia Informative dhe Komunikimi” (TIK) në nivelin Bachelor, krahasuar me vitin paraprak kemi një numër më të madh të femrave, ku për vitin 2021/2022 numri i femrave në këtë fushë ishte 2 195 ose 28,8%, ndërsa në vitin akademik 2022/2023 ishte 2 348 ose 32,4%.

Sipas statistikave të ASK-së për vitin akademik 2022/2023, numër më i madh i studentëve  të regjistruar për herë të parë në arsimin e lartë në nivelin Bachelor është shënuar në fushat “Biznes, administratë dhe ligj” me gjithsej 4 268 studentë ose 25,0% e numrit të përgjithshëm të studentëve. Ndërsa, numër më i vogël i studentëve janë regjistruar në fushat “Bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari” me gjithsej 365 studentë ose 2,1%.

Po ashtu, vërehet numër i vogël i studentëve të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në fushën e “Arsimit” me gjithsej 390 ose 2,3%.

Ndërkaq interesim më i madh i studentëve në nivelin Master  është  në fushën “Biznes, administratë dhe ligj” në universitete publike dhe kolegje private

 Nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar për herë të parë në nivelin Master, 1 528 studentë, janë regjistruar në fushën “Biznes, administratë dhe ligj” ose shprehur në përqindje 37,1% e numrit të përgjithshëm. Ndërsa, vërehet numër i vogël i studentëve të regjistruar në fushën “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë”, me gjithsej 65 studentë ose 1,6% e numrit të përgjithshëm.

 Diferencë më e madhe ndërmjet femrave dhe meshkujve te fusha e Arsimit

 Krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve, që ndjekin arsimin e lartë në nivelin Master, dominon numri i studentëve të cilët ndjekin studimet në fushat “Biznes, administratë dhe ligj” me gjithsej 3 853, ose 36,0% e numrit të përgjithshëm. Diferencë më e madhe gjinore vërehet edhe tek niveli Master në fushën e “Arsimit “ ku nga 1 075 studentë, 83,0% janë femra, ndërsa 178 janë meshkuj ose 16,6%.