75 Mall Live Search
23:06 / E Mërkurë, 17 Korrik 2024 / S Z

Interesimi për programet Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Kurti e përmend si meritë vendimin e MASHTI-t për bursa vjetore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpërndau në Facebook postimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se ka rritje të numrit të aplikimit për programin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës (UP), sipas Qeverisë, në këtë rritje aplikimesh ka ndikuar vendimi i Ministrisë së Arsimit për bursa vjetore prej 1 mijë eurosh për studentët që regjistrohen në këto dy programe.

Një gjëje të tillë, Kurti thotë se i është gëzuar, duke iu uruar suksese studentëve të cilët do të regjistrohen.

“Ky është numri më i lartë i aplikimeve në vitet e fundit, gjatë të cilave ishte shënuar një trend në rënie i interesimit për të studiuar në programin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës”.

“Këtij lajmi i gëzohemi edhe për faktin që nga ky vit për herë të parë MASHTI po ofron bursa vjetore prej 1 mijë euro për studentët që regjistrohen në këto dy programe. Ai është edhe dëshmi që këto bursa kanë dhënë rezultate pozitive në rritjen e interesimit për të ndjekur studimet në Gjuhë dhe Letërsi.  U urojmë suksese në procesin e pranimit dhe studime të mbara të gjithë studentëve të rinj të Universitetit të Prishtinës”, ka shkruar Kurti.