75 Mall Live Search
11:44 / E Mërkurë, 26 Tetor 2022 / C E

Interi kërkon ta eliminojë Barcelonën me fitore ndaj Plzen, ja formacionet e mundshme

Sonte me fillim nga ora 18:45 do të zhvillohet ndeshja tejet interesante mes Interit dhe skuadrës së Victoria Plzen, e vlefshme kjo për xhiron e pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Interi mban në dorë fatin e Barcelonës në këtë garë, ku fitorja ndaj Plzen do të eliminonte skuadrën e Xavit qysh në fazën e grupeve, dhe do ta dërgonte atë në Ligën e Evropës.

Interi në xhiron e fundit të kësaj gare barazoi 3:3 me Barcelonën, kurse Plzen u mposht si vendas nga Bayern Munich me rezultat 4:2.

Takimi i fundit mes Interit dhe Plzen daton në muajin e kaluar, ku asokohe gjiganti italian regjistroi fitore me rezultat solid 2:0.

Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Interin nuk do të paraqiten Brozovic, Cordaz, Dalbert dhe Gagliardini, kurse te Plzen mungojnë Dedic, Kasa, Kliment, Kopic, Reznik dhe Sykora.

Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë.

Inter (3-5-2): Onana; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Martinez, Dzeko

Plzen (4-2-3-1): Stanek; Havel, Hejda, Pernica, Jemelka; Kalvach, Bucha; Kopic, Vlkanova, Mosquera; Chory