75 Mall Live Search
11:49 / E Diele, 27 Korrik 2025 / L A

Interi vendos ultimatum për transferimin e Lookmanit

Ditët e fundit të korrikut pritet të jenë vendimtare për çështjen Ademola Lookman, por Interi ende nuk ka dërguar një ofertë të përmirësuar drejt Atalantës.

Burime me njohuri të drejtpërdrejtë mbi situatën konfirmojnë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ofertë të re nga Interi për yllin nigerian. Ditët kyçe për negociatat mes klubeve pritet të jenë nga e hëna, 28 korrik, deri të mërkurën, 30 korrik.

Megjithëse janë raportuar lajme për një ofertë të përmirësuar nga Interi me vlerë 45 milionë euro përfshirë bonuset, këto nuk janë konfirmuar nga burimet e afërta me palët. Po ashtu, deri më tani nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes klubeve – vetëm bisedime joformale përmes ndërmjetësve gjatë së shtunës.

Interi është i vetëdijshëm se kërkesa e Atalantës për kartonin e Lookman është ende 50 milionë euro, që do të thotë se një ofertë prej 45 milionë eurosh + 5 milionë në formë bonusesh mund të mjaftojë për të përmbyllur marrëveshjen.

Pikërisht për këtë arsye, ideja e zikaltërve është të kalojnë në veprim konkret në ditët në vijim, edhe sepse vetë Lookman i ka dhënë përparësi kalimit te Interi dhe shpreson për një marrëveshje të shpejtë.