13:22 / E Hënë, 09 Nëntor 2020 / C E

Interi zhgënjen në startin e sezonit, Handanoviqi s’është më një siguri

Tri fitore, pesë barazime dhe dy humbje. Ky është bilanci i Interit në 10 ndeshjet zyrtare që ka zhvilluar për sezonin e ri midi kampionatit dhe Ligës së Kampionëve dhe që ka nxjerrë në pah disa dobësi të zikaltërve.

Milanezët rrezikojnë të mos e kalojnë fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa në kampionat kanë mbetur 5 pikë mbrapa Milanit kryesues dhe gjërat për trajnerin Antonio Conte s’po shkojnë aspak mirë.

Vazhdimisht zikaltrit kanë dominuar ndeshjet dhe shpesh kanë kaluar të parët në avantazh, por nuk kanë ditur të mbyllnin llogaritë dhe janë ndëshkuar më pas, ndërsa vetë Conte ka theksuar vazhdimisht se skuadra prodhon raste, por po vuan në finalizim.

Megjithatë nuk është vetëm sulmi problemi i milanezëve, pasi edhe mbrojtja “fut ujë” nga të gjitha anët dhe Handanoviqi e ka nxjerr plot 16 herë topin nga rrjeta e portës së tij, me një mesatare prej 1.6 golash për ndeshje, vërtet shumë për një skuadër që dëshiron të fitojë trofe.

Së fundi edhe vetë kapiteni zikaltër, ai që për vite me radhë ka qenë vetë siguria dhe heroi i skuadrës, Samir Handanoviq, ka përfunduar në qendër të kritikave, pasi edhe goli i djeshëm ndaj Atalantës mund të shmangej me një reagim më të shpejtë.

Ndonëse gardiani zikaltër nuk mund të quhet fajtor në golat e pësuar, ajo që shqetëson më shumë në klubin milanez është fakti që tani çdo gjuajtje në portë po shndërrohet në gol dhe pritjet vendimtare të Handanoviqit këtë sezon janë minimale.

Kundërshtarë si Lazio, Parma, Borussia M’gladbach, Real Madridi apo së fundi Atalanta, janë treguar racionalë në maksimum, pasi kanë shndërruar në gol çdo rast të krijuar dhe us kanë hequr nga duart fitoren zikaltërve.

Natyrisht që Conte nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Handanoviqi, që përveçse lider i skuadrës, është një siguri në qarkullimin e topit, pasi po bën shumë mirë në lojën me këmbë, por 36 vjetë mbi supe kanë filluar t’ia zbehin reflekset dhe ndoshta është koha që Ausilio e Marotta të mendojnë për pasuesin e tij.