75 Mall Live Search
12:29 / E Mërkurë, 14 Janar 2026 / H F

Internet falas me shpejtësi të lartë në të gjithë fluturimet me Starlink

Grupi Lufthansa ka njoftuar se do të pajisë rreth 850 avionë me Internet të shpejtë gjatë fluturimit, falas për udhëtarët, shkruan Blick.ch, transmeton IndeksOnline.

Swiss dhe Edelweiss, pjesë e grupit Lufthansa do të fillojnë këtë vit instalimin e Internetit më të shpejtë në të gjithë avionët ekzistues dhe të rinj. Për këtë, kompania ka zgjedhur të bashkëpunojë me Elon Musk-un dhe kompaninë e tij, Starlink, që aktualisht ofron lidhjen më të fuqishme të internetit gjatë fluturimeve në industrinë ajrore.

Sistemi i ri do të lejojë “streaming”, punë në “cloud” dhe aplikacione të tjera që kërkojnë shumë të dhëna gjatë fluturimit. Ky shërbim do të ofrohet falas për të gjithë klientët me status dhe përdoruesit e Travel-ID-së, pa marrë parasysh klasën e biletës.

Edelweiss planifikon të pajisë të gjitha avionët e saj Airbus A320, A320neo dhe A350 me internet Starlink, edhe pse një plan i detajuar për zbatimin e tij gradual është ende në përgatitje.

Edhe Swiss do të pajisë flotën e saj të fluturimeve të shkurtra dhe të gjata me këtë teknologji. Implementimi do të bëhet gradualisht gjatë operacioneve të zakonshme, ndërsa detajet për cilët avionë dhe kur do të jetë i disponueshëm shërbimi janë ende duke u planifikuar.

Sipas grupit Lufthansa, fluturimet e para me teknologjinë Starlink pritet të fillojnë nga gjysma e dytë e vitit 2026, ndërsa pajisja e plotë e flotës pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2029. Detaje të mëtejshme do të bëhen publike gjatë vitit.