Interpol: Vaksinat kundër COVID-19 mund të jenë në shënjestër të grupeve kriminale

Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL), paralajmëroi të mërkurën se rrjetet e organizuara kriminale mund të synojnë shitjen e vaksinave false kundër koronavirusit.
Interpoli, me seli në Francë, tha se kishte lëshuar një alarm global për zbatimin e ligjit në 194 vendet e tij anëtare, duke i paralajmëruar ata që të përgatiten për rrjetet e krimit të organizuar që synojnë vaksinat COVID-19, si fizikisht ashtu edhe në internet.
“Ndërsa qeveritë po përgatiten të shpërndajnë vaksinat, organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrojnë ose të prishin zinxhirët e furnizimit”, tha sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.
Të mërkurën, Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë në botë që miraton vaksinën kundër COVIDIT-19 të kompanisë “Pfizer” dhe “BioNTech”.
Ka disa vaksina të tjera premtuese që gjithashtu mund të miratohen së shpejti. Një nga ato është ajo e kompanisë “Moderna”, e cila përdor të njëjtën qasje si vaksina e “Pfizer”-it dhe ofron mbrojtje të ngjashme. Edhe Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me “AstraZeneca”-n kanë zhvilluar një vaksinë.
Rusia ka përdorur një tjetër vaksinë, të quajtur “Sputnik” dhe ushtria kineze ka miratuar një tjetër të bërë nga “CanSino Biologics”.
Derisa pandemia e koronavirusit po intensifikohet në pjesën më të madhe të botës, vendet po përpiqen të sigurojnë furnizime të mundshme të vaksinave dhe po përgatisin plane për veprimet e para, që do të ndërmarrin në javët e ardhshme.
Shpresat janë të mëdha se vaksinat mund të jenë gati për përdorim para fundit të vitit, me dy vaksina kryesore – nga “Moderna” dhe “BioNTech-Pfizer” – që tashmë kanë kërkuar miratimin për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.