Intervenon Policia, i ndalë “driftet” në Prizren

Stacioni Policor Prizren – Veri, në bashkëpunim me Njesinë e Trafikut Rajonal, mbrëmë kanë realizuar planin operativ “Parandalimi i Garave të Shpejtësisë”.
Gjatë patrullimit afër rrethrrotullimit të autostradës te dalja në Prizren-Veri, te një pompë e derivateve, policia ka hasur në një numër të automjeteve duke bërë ngasje të rrezikshme (drifte).
Patrullat policore kanë reaguar duke shqiptuar gjoba për kundërvajtjet në komunikacion.
Patrullat nga vendi i ngjarjes kanë raportuar bazën për reagimin e tyre në mënyrë që të informohet edhe njësia e autostradës, në rast se ndonjë prej automjeteve kyçet në autostradë për të bërë gara shpejtësie.
“Vlen të ceket se ky është një koordinim i mirë mes dy stacioneve policore dhe një punë shumë e mirë e intervenimit të ekipeve të patrullave në parandalimin e garave të shpejtësisë dhe ngasjes së rrezikshme, dukuri që rrezikon jetën e pjesëmarrësve në komunikacion edhe jetën e vetë pjesëmarrësve në këto gara” thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bën të ditur se do të vazhdojë të parandalojë këto aktivitete të rrezikshme dhe të gjithë kundërvajtësit do të gjobiten pa përjashtim.