13:30 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / Blerim

Intervistë ekskluzive me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, flet për situatën politike, ndihmën zvicëriane dhe liberalizimin e vizave

Shteti zviceran vazhdon të jetë një nga aleatët më të fuqishëm të shtetit tonë. Zvicra ka qenë dhe është një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të mëdhenj të Republikës së Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për Indeksonlinen, z. Thomas KOLLY, ambasador i Zvicrës në Kosovë, ka folur për çështje tejet të rëndësishme, duke përfshirë këtu luftën ndaj pandemisë, arrestimeve nga Gjykata Speciale dhe rolin e këtij institucioni, por edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

KOLLY ka dhënë përgjigje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të 29 nëntorit në dy komuna: Mitrovicë e Veriut e Podujevë. Teksa ka konfirmuar edhe një herë që Zvicra është mbështetëse e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Indeksonline: Si po e ndihmon Zvicra aktualisht Kosovën në luftën kundër pandemisë COVID-19? Si e shihni angazhimin e institucioneve kosovare në këtë luftë pandemike ?

Thomas KOLLY: Shpërfaqja dhe përhapja e shpejtë e pandemisë së koronavirusit konfirmoi dobësitë strukturore tashmë të pranishme në sistemin shëndetësor kosovar qe një kohë të gjatë. Zvicra ka ofruar 22 ventilatorë jetëshpëtues (në vlerë prej 500.000 frangash) për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve dhe po ashtu ka mbështetur 2.700 familje rome, ashkalinje dhe egjiptiane.

Zvicra, gjithashtu ka mbështetur përpjekjet për parandalimin e kësaj pandemie.

Së pari, ne kemi mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë për të komunikuar më mirë me popullatën e përgjithshme për rreziqet që shkaktohen nga pandemia, në fokus të veçantë komunitetet e margjinalizuara dhe pacientët me sëmundje kronike.

Së dyti, ne kemi mbështetur përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin e situatës pandemike në nivelin lokal për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Përveç mbështetjes sonë që lidhet me shëndetin, ne gjithashtu kemi ofruar mbështetje për ekonominë dhe punësimin.

Për shembull, ne digjitalizuam një pjesë të ndihmës sonë për të ndihmuar bizneset që t’i rrisin kapacitetet për të kryer shitje dhe marketing online.

Indeksonline: Disa politikanë të lartë të Kosovës tashmë gjenden në Gjykatën e Hagës. Si duhet të sillen institucionet kosovare përballë këtij zhvillimi?

Thomas KOLLY:  Zvicra mbetet fuqimisht e përkushtuar për drejtësinë ndërkombëtare në luftën kundër mosndëshkimit, si dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ballafaqimin me të kaluarën.

Themelimi i Dhomave të Specializuara është në përputhje me angazhimin tonë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të hetuar krimet e rënda të supozuara të kryera në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000.

Zvicra mirëpret angazhimin e autoriteteve të Kosovës për të bashkëpunuar më tej me Dhomat e Specializuara, por nuk komenton mbi aktakuzat e publikuara së fundmi.

Indeksonline:  Si e shihni procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi?  Serbia këmbëngul që  “Asociacioni i Komunave Serbe” të përfshihet në dialog, të cilin Kosova e kundërshton. Cili është pozicioni i Zvicrës për këtë çështje?

Thomas KOLLY: Zvicra mbështet në mënyrë aktive procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë dhe mirëpret rifillimin e dialogut nën udhëheqjen e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian z. Lajčák.

Një proces efektiv normalizimi kërkon ndër të tjera zbatimin e të gjitha marrëveshjeve bilaterale, nga Menaxhimi i Integruar i Kufirit (IBM) dhe diplomat e deri te energjia dhe asociacioni.

Kjo gjithashtu ka të bëjë me besimin e të dyja palëve në proces, si nga autoritetet ashtu edhe nga qytetarët.

Në të njëjtën kohë, Zvicra konsideron se një marrëveshje e qëndrueshme duhet të jetë e zbatueshme dhe  profitabile për qytetarët.

Në këtë kontekst, një zgjidhje lidhur me asociacionin do të ketë një rëndësi thelbësore.

Indeksonline: Më 29 nëntor pritet të zhvillohen zgjedhjet për kryetarë komunash në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut. Cila është porosia  juaj për votuesit e këtyre komunave?

Thomas KOLLY: Si përfaqësues i Zvicrës, një vend i njohur për demokracinë e saj të drejtpërdrejtë, unë mirëpres procesin demokratik dhe pjesëmarrjen e popullatës lokale. Një nga përparësitë e ndihmës së Zvicrës në Kosovë është promovimi i qeverisjes së mirë lokale. Përgjegjësia politike e kryetarëve të komunave karshi elektoratit është e rëndësishme.

Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore,  unë do të doja ta inkurajoja elektoratin, veçanërisht të rinjtë, të mobilizohen në mënyrë kuptimplote.

Nga pikëpamja demokratike pluraliteti dhe liria e zgjedhjes janë thelbësore, prandaj mirëpres konkursin politik për kryetar komune.

Së fundmi, unë besoj se autoritetet do të sigurojnë që këto zgjedhje të mbahen konform rrethanave që korrespondojnë me COVID-19.

Indeksonline: Si e shihni rolin e Zvicrës në Kosovë dhe në Ballkan në të ardhmen? Edhe sa kohë do të qëndrojnë ushtarët zviceranë në Kosovë? Sa ushtarë keni këtu?

Thomas KOLLY: Zvicra ka siguruar mbështetje thelbësore për Kosovën që nga viti 1998. Ajo deri më tani ka ofruar më shumë se 500 milionë CHF për Kosovën dhe mbetet partneri i tretë bilateral i zhvillimit të Kosovës.

Ne jemi të bindur se ndihma e Zvicrës në mënyrë efektive mbështetë ambiciet e Kosovës për të vazhduar rrugëtimin drejt  integrimit evropian dhe kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ne aktualisht jemi duke zhvilluar strategjinë tonë të re të bashkëpunimit për vitet 2022-2025, përmes së cilës planifikojmë të përfshihemi në promovimin e qeverisjes së mirë, sigurisë njerëzore, vendeve të punës, si dhe infrastrukturës së ujit dhe një qasjeje të përmirësuar në kujdesin shëndetësor parësor.

Në qershor të vitit 2020 Zvicra vendosi të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR së  paku edhe për tri vjet (deri në vitin 2023) dhe të rrisë numrin e kontingjentit të saj nga 165 në 195 ushtarë.

Pjesëmarrja e Zvicrës në KFOR është një testament për rëndësinë  që ia kushton Zvicra sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Indeksonline: Gjendja ekonomike vazhdon të jetë e vështirë në Kosovë. Çfarë u duhet investitorëve zviceranë për të investuar në Kosovë?

Thomas KOLLY: Zvicra është investitori i dytë më i madh i huaj me mbi 480 milionë euro tashmë të investuara në Kosovë.

Sidoqoftë, kompanitë zvicerane dhe diaspora ende hezitojnë të investojnë në zhvillimin e kompanive në Kosovë.

Kur flas me investitorë të mundshëm nga Zvicra, vazhdimisht përmendet nevoja e përmirësimit të kushteve thelbësore në Kosovë: së pari, investitorët kanë nevojë për parashikueshmëri.

Kjo përfshin shtetin ligjor, duke përfshirë mjetet juridike efektive.

Së dyti, investitorët zviceranë kanë nevojë për një fuqi punëtore të aftë dhe të specializuar.

Në Kosovë ka shumë të rinj shumë të talentuar.

Rreziku është që ata të shkojnë jashtë vendit, në Zvicër ose diku tjetër, sepse nuk  besojnë në një të ardhme më të mirë.

Kjo më çon në pikën time të tretë se qeverisja e mirë dhe konsolidimi i demokracisë, si dhe stabiliteti politik janë po aq thelbësore për investitorët zviceranë.

Indeksonline: Si e shihni procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën? Cilat parakushte duhet të plotësohen që kosovarët të udhëtojnë në Zvicër dhe vendet e Shengenit pa vizë sipas jush?

Thomas KOLLY: Zvicra është mbështetëse e liberalizimit të vizave.

Ne pajtohemi me konkluzionet dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili konsideron se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Sidoqoftë,  për mua është me rëndësi të theksoj se angazhimi për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar duhet të mbetet serioz dhe se qeveria nuk duhet të mjaftohet me sukseset e arritura deri tani.

Ne do të vazhdojmë ta mbështesim luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për shembull, Instituti i Bazelit për Qeverisjen e Mirë do të kontribuojë përmes projektit SAEK mbështetje për përpjekjet antikorrupsion në Kosovë) të zbatuar nga UNDP për konfiskimin dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura.

Indeksonline: Cila është porosia juaj për politikanët dhe popullin e Kosovës?

Thomas KOLLY: Kosova ka shumë potencial.

Kushtet për ta shfrytëzuar këtë potencial janë stabiliteti politik, kushtet e mira thelbësore për ekonominë dhe një sistem i shëndoshë shëndetësor dhe arsimor.

Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për të përmirësuar stabilitetin dhe prosperitetin.