15:55 / E Premte, 15 Janar 2021 / OSH

Intervistë/ Futbollistja kosovare që la futbollin aktiv, për t’u bërë trajnere

Të pensionohesh nga futbolli në moshën 32-vjecare veç pse ke një ofertë për t’u bërë trajnere, nuk është edhe fat i keq!

Suada Jashari është pensionuar zyrtarisht nga futbolli aktiv, por nuk është larguar krejtësisht nga sporti më i bukur në planet. Ajo është emëruar trajnere e skuadrës/ kampione aktuale në Kosovë, KF Mitrovica.

Në një intervistë për IndeksOnline, Jashari tregoi se kush e bindi atë ta lë futbollin për të filluar një punë të re.

“Më thënë të drejtën unë ndihem e plotësuar në aspektin e të luajturit futboll, pasi kam fituar shumë tituj, kam luajtur dhe shënuar në UEFA Champions League dhe i kam ndihmuar Kombëtares së Shqipërisë për 10 vite. Rol vendimtar për ta lënë futbollin ka luajtur oferta për ta drejtuar skuadrën e Mitrovicës, klubin e zemrës dhe të vendlindjes sime. Për këtë mundësi të dhënë falënderoj kryetarin Hajrullah Haxhiu dhe stafin e tij”, ka thënë ish-futbollistja.

Gjatë intervistës, Jashari tregoi se ka përvojë të mjaftueshme për ta menaxhuar skuadrën e Mitrovicës. Madje ajo merr shembull edhe Andrea Pirlon, që nga futbolli aktiv, u bë trajner i ‘Zonjës së Vjetër’, shkruan IndeksOnline.

“Me përvojën e akumuluar ndër vite dhe falë bashkëpunimit me disa trajnerë shumë të mirë, besoj që do i ndihmojë skuadrës, sidomos në aspektin psikologjik dhe taktik. Kur shohim që skuadra më e mirë në Itali, Juventus i beson Pirlos pa pasur eksperiencë, besoj që edhe rasti im nuk është unik. Dua të them se nuk është një çudi e madhe. Me rëndësi është se unë i kam synimet e qarta, kam vetëbesim dhe i besoj shumë instinktit dhe mentalitetit tim fitues”, u shpreh trajnerja 32-vjecare.

Menaxherja më e re në futbollin e grave në Kosovë tashmë është duke ndjekur disa kurse që organizohen nga Federata e Futbollit të Shqipërisë. Ajo edhe më parë ka mbajtur disa seminare dhe mini-kurse për trajner.

Ish-futbollistja e Shqipërisë ka një simpati për trajneren e Chelseat, Emma Hayes.

“Ka shumë trajner/e të mirë si vendos ashtu edhe ndërkombëtar. Por unë dua ta ceki trajneren që më pëlqen mua. Ajo është Emma Hayes, e cila më duket se është shumë e përgatitur”, vazhdoi Jashari. 

Synimet e trajneres Jashari te skuadra e Mitrovicës janë të qarta. Ajo pret që skuadra e saj të paraqitet denjësisht në UEFA Champions League për sezonin e ri, në mënyrë që t’i rritet emri i ekipit dhe shtetit [Kosovës].

Si qëndron futbolli i femrave në Kosovë? Jashari përgjigjet: “Duhet rritur sa më shumë futbolli i femrave edhe pse kohëve të fundit ka pasur ngritje. Kurse në aspektin teknik duhet të punojmë shumë dhe ta rrisim intensitetin e lojës. Të luhet topi sa më shpejtë, në mënyrë që loja të bëhet sa më atraktive”, është shprehur ish-futbollistja.

Për fund, Suada Jashari shpreson që një ditë të ketë mundësinë ta menaxhoj ndonjë Kombëtare. Kosova apo Shqipëria, për të nuk ka rëndësi. Ajo thotë se jemi ‘NJË’, andaj cila do qoftë, do të ishte e mirëseardhur./IndeksOnline/

Shkroi: Granit Tërstena