75 Mall Live Search
11:25 / E Shtunë, 25 Maj 2019 / indeksADMonline

Intervistë me Feride Rushitin, tregon me çfarë po përballen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Në prill të vitit 2017 ishte themeluar Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Megjithatë vetëm një vit me pas, pesë muaj pasi Qeveria e Kosovës ndau 200 mijë euro, konkretisht më 5 shkurt 2018 filloi procesi për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Për  më shumë se një vit, nga ky komision janë pranuar rreth 1 mijë aplikacione, prej të cilave vetëm 400 janë shqyrtuar.

Ky komision nga aplikacionet e shqyrtuara i ka njohur statusin e viktimës 242 të mbijetuarve të dhunës në mesin e tyre edhe 7 burra. Derisa 130 personave, iu është refuzuar e drejtën për pension për herë të parë, derisa 27 të tjerëve u është refuzuar përfundimisht.

Ashtu edhe siç ishte kërkuar nga organizatat që merren me trajtimin e viktimave të dhunës seksuale, shuma e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është 230 euro.

Ndonëse kjo shumë nuk ua mbulon dhimbjen dhe tmerrin e përjetuar, ajo nga organizatat jo qeveritare shihet si “zgjatje e dorës së shtetit” për të gjithë viktimat, shumë e cila simbolizon njohjen e asaj çfarë ka ndodhur dhe solidaritet për të gjithë ato gra e burra të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale.

Megjithatë, një nga tri organizatat e licencuara për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ka edhe disa kërkesa.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, thotë se procedurat që zgjasin deri në një vit për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunë seksuale janë duke lëkundur besueshmërinë tek institucionet.

Ajo në një intervistë për Indeksonline kërkon që ato të përshpejtohen, pasi siç thotë, tek viktimat dhe familjarët e tyre është duke shkaktuar ankth dhe tension.

“Jemi për t’i përshpejtuar procedura e verifikimit për shkak se po zgjasin një vjet, dhe kjo po shkakton ankth, po shkakton tension, po e lëkund besueshmërinë edhe te ne edhe te institucionet, pastaj edhe debat në familje”, tha Rushiti për Indeksonline.

“Shërbimet shëndetësore falas, qenësore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës”

Derisa tregon për problemet me të cilat përballen, drejtoresha e QKRMT-së, thotë se ofrimi i shërbimeve shëndetësore falas brenda vendit do të ishin jetike për lehtësimin sado pak të shqetësimeve të panumërta, për të cilat Rushiti thotë se përballen viktimat e dhunë seksuale.

“Secila nga to bart shqetësime shëndetësore të panumërta, sepse shumë nga ato edhe për problemet gjinekologjike hezitojnë të shkojnë te mjeku, sepse një kontroll i kthen aty mbrapa, i kthen ato në traumë. Shumë herë ato aq shumë vonohen në kërkimin e vizitave  dhe analizave laboratorike sa kur të vizitohen edhe pak situata është vonë. Prandaj shërbimet shëndetësore falas janë qenësore për to, për t’u siguruar, pasi që në ligjin aktual për vlerat e luftës ato kanë shërbime shëndetësore jashtë shtetit por nuk i kanë të siguruara shërbimet shëndetësore brenda vendit”, shtoi ajo.

Numri prej 20 mijë viktimave nuk është nga institucionet vendëse, organizatat kanë evidentuar rreth 1500 persona

Në opinionin publik, vlerësohet se janë rreth 20 mijë persona të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Mirëpo, sipas Feride Rushitit, ky numër nuk është nxjerrë nga institucionet dhe organizatat kosovare.

Sipas të dhënave, që QKRMT dhe dy organizatat e tjera që janë të licencuara për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale posedojnë, janë rreth 1500 gra dhe burra që janë dhunuar nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

“Numri që qarkullon nëpër organizata sillet rreth 1500 mijë veta ndoshta edhe më shumë.  Dua të theksoj që numri prej 20 mijë vetave nuk buron prej burimeve vendore, nuk është  as burim i organizatave jo qeveritare kosovare as i institucioneve kosovare, se nuk ka pas institucione kosovare në atë kohë kur ka ndodhur”.

“Numri vjen prej një studimi të realizuar nga Centre for Disease Control në Atlanta (ShBA) që është një institut epidemiologjik amerikan që ka e bërë këtë studim me mostër reprezentative dhe 4.4 % e asaj mostër ka rezultuar që kanë qenë të përdhunuar gjatë luftës edhe nga ajo është përzgjedh mesatarja që ka ardhë prej 20 mijë vetave”, deklaroi drejtoresha e QKRMT-së, organizatë që tash e 20 vite merret me viktimat e dhunës seksuale.

Image may contain: 2 people, including Feride Rushiti, people sitting

Rushiti: Viktimat e familjarët u ritraumatizuan nga ngjarja në Kuvend, duhet të punojmë për të rikthyer besimin tek ta

Javë më parë, në Kuvend, gjatë kohës kur po diskutohej për iniciativën për formimin e një tribunali ndërkombëtar që do të merrej me krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, shpalosi një fotografi e për të cilën tha se është një nga dëshmitë për kryerje e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në fotografi e cila doli të ishte nga videot pornografike, paraqiteshin disa ushtarë teksa kryenin marrëdhënie seksuale me një grua.

Kjo fotografi, sipas Rushitit e cila tash e sa vite merret me viktimat e dhunës seksuale, ka ritraumatizuar ata që kanë përjetuar dhunë nga serbët.

Megjithatë Feride Rushiti dhe organizata që ajo drejton, nuk do të lejojnë që një ngjarje e tillë të hedh poshtë punën që e kanë bërë tash e sa vite.

“I kthej në ngjarjen e viti ’99, i ritraumatizojë .. megjithatë unë mendoj që ne si organizatë qe 20 vjet kem punuar me shumë mund dhe sakrificë me ardhë deri te ky proces, dhe mund të them që në një ndër proceset më të konsoliduara në raport me viktimat në tërësi të luftës. Ky ka qenë një proces mirë i ndërtuar me standarde të mira, me standarde që gjithë bota donte të mësonte nga praktikat kosovare. Prandaj  nuk duam me ia lejuar vetes që një fotografi  e plasuar në parlament, me qëllime të mira apo jo të mira i lihet pastaj prokurorisë, me i dëmtuar këto çështje, me e dëmtuar imazhin e kësaj kauze që e kemi ndërtuar me vite të tëra. Në këtë drejtim unë po mendoj që na duhet me bo çmos si organizata por edhe institucionet e vendit që me sanuar situatën e vendit me ia kthyer besimin viktimave dhe me vazhduar rrugën tutje”, përfundoi Rushiti.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, është organizatë e pavarur, jo qeveritare dhe jo fitimprurëse, e themeluar në vitin 1999, qëllimi i së cilës është ofrimi i trajtimit dhe rehabilitimit për të mbijetuarit e torturës. /Indeksonline/