75 Mall Live Search
14:39 / E Premte, 15 Janar 2021 / OSH

Intervistë/ Veton Tusha deklarohet pas transferimit në Denizlispor

Futbollisti kosovar sot u zyrtarizua si lojtari më i ri i klubit të Superligës turke, Denizlispor.

Veton Tusha, nga Kaçaniku ka firmosur kontratë 3.5 vjeçare me klubin turk.

IndeksOnline ka kontaktuar me lojtarin menjëherë pas zyrtarizimit.

“Pikë së pari kisha dashtë me falënderua familjen time që më kanë qëndruar gjithmonë afër dhe më kanë përkrah në çdo aspekt, sidomos babi im.  E falënderoj gjithashtu edhe trajnerin tim, Fatos Vishin, ku i kam marr hapat e parë si 6-vjeçar në akademinë e futbollit ‘New Star’”, është shprehur fillimisht futbollisti.

Ai tregon se kishte shumë oferta pas paraqitjeve të mira me Kombëtaren e Kosovës në grupmoshat U19. Por, në fund vendosi për ekipin turk.

“Kam zhvilluar paraqitje të mira me Kosovën U19 dhe pas kësaj kam pasur shumë oferta, por me agjentin tim kemi vendosur për skuadre turke, Denizslispor, e cila më është përshtatur në të gjitha aspektet.”, tha për IndeksOnline Tusha.

Sulmuesi 18-vjeçar më parë ka luajtur për Vardarin, kurse tani në Superligë shpreson që të shënoj sa më shumë gola.

“Shpresoj që ky vit ka me qenë një vit i mbar, dhe sa më shumë gola nga unë sepse jam në formë të mirë. Besoj që do të adaptohem shumë lehtë. I di aftësitë e mia.”, përfundoi talenti kosovar.

Kujtojmë që futbollisti ka filluar sot stërvitjet me skuadrën A te Denizlispor, kjo e fundit është në pozitën e parafundit në Superligën e Turqisë me 14 pikë./IndeksOnline/