Intervistohen kandidatët për Avokat të Popullit, vetëm tre i propozohen kuvendit

Sot në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, para komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për persona të pagjetur dhe Peticione janë paraqitur për intervistë kandidatët për avokat të popullit.
Burimet e Indeksonline brenda Kuvendit të Kosoves thonë se kandidatët më të favorizuar janë Enver Hasani (57 vjeç)ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe Arben Muhameti ( 37 vjeç) diplomat i karrierës, aktualisht Konsull i Kosovës ne Itali. Mësohet se gara mes tyre është e ashpër dhe një rrjet i gjerë deputetësh po lobojnë për këta dy kandidatë.
Indeksonline ka hulumtuar rreth profilit te dy pretendenteve. Prof. Enver Hasani është i njohur gjerësisht për eksperiencën e tij menagjuese dhe njohuritë e tij në të drejtën kushtetuese por ka disa rrethana dhe fakte që e penalizojnë dhe i krijojnë disavantazh në këtë garë përballë Arben Muhametit. E kaluara e z. Hasani është plot dritëhije. Në vitet e fundit është përballë me akuza rreth profilit të tij moral dhe gjithashtu me dy aktakuza zyrtare dhe me një mori seancash gjyqësore, njëra prej aktakuzave kishte të bënte me keqpërdorimin e detyrës zyrtare në kohën sa ishte rektor ndërsa tjetra gjithashtu me keqpërdorimin e detyrës zyrtare sa ushtronte funksionin e kryetarit të gjykatës kushtetuese. Ne fakt, në gjykatën themelore ,për akuzën e parë u shpall fajtor dhe u dënua me një vit burgim me kusht por më vonë gjykata e apelit e shpalli të pafajshëm.
Në anën tjetër Arben Muhameti, jurist me profesion është një kuadër me moshë të re por me një eksperiencë mbresëlënëse në administratën publike dhe shërbimin e jashtëm diplomatik. Ai ka udhëhequr për shume vite misionet konsullore të Republikës së Kosovës në disa shtete. Kjo ka bërë që ai të jetoj 12 vitet e fundit jashtë shtetit. Mban gradën shkencore magjistër i shkencave juridike dhe gjithashtu ka një numër të konsiderueshëm trajnimesh dhe publikimesh përgjatë viteve.
I mbetet Komisionit Parlamentar qe pas intervistimit t´i poentoje kandidatet dhe tre më të vlerësuarit do t´i dërgohen Kryesisë së Kuvendit për t´i proceduar në seancë plenare.
Avokat i Popullit zgjidhet kandidati që merr 61 vota të deputetëve. Votimi si rregull është i fshehte. Mandati i avokatit të popullit është 5 vjeçar dhe është njëra nga pozitat me te larta ne vend.