Investim 2.3 milionësh, punime gati 1 vit/ Detaje nga kontrata për ndërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë
Është publikuar sot aktiviteti i prokurimit në nënshkrimin e kontratës për projektin “Rikonstruktimi i rrugës rajonale R119, segmenti Kijevë–Malishevë”, vetëm një ditë pasi u bë përurimi i nisjes së punimeve nga kryeministri në detyrë i Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha.
Në ceremoninë e mbajtur dje, Kurti tha se projekti përbën një investim të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe jo vetëm, shkruan IndeksOnline.
“Me rindërtimin e rrugës Kijevë–Malishevë, si Qeveri e Republikës së Kosovës po e bëjmë një investim tjetër të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës, e më gjerë”, deklaroi ai.
Sipas tij, rruga do të lidhë pesë fshatra përgjatë segmentit dhe do të jetë në shërbim të rreth 18 fshatrave të zonës, duke ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik e turistik, përfshirë qasjen më të lehtë drejt Ujëvarave të Mirushës.
Ndërkaq, në njoftimin për nënshkrimin e kontratës të publikuar sot nga e-Prokurimi, bëhet e ditur se kontrata është nënshkruar më 5 maj me grupin e operatorëve ekonomikë “Benita Company” dhe “Arbotec SH.P.K.”.
Projekti parasheh rikonstruktimin e segmentit rrugor Kijevë–Malishevë në gjatësi prej 8,586 metrash, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës është 2 milionë e 378 mijë e 87 euro.
Sipas dokumentit të prokurimit, në këtë aktivitet kanë ofertuar 19 operatorë ekonomikë, ndërsa 15 tenderë janë shpallur të përgjegjshëm.
Punimet do të financohen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe afati për realizimin e projektit është 225 ditë./IndeksOnline/

