75 Mall Live Search
12:20 / E Hënë, 14 Prill 2025 / S Z

Investime në Pediatri, synohet përmirësimi i infrastrukturës dhe e cilësisë së trajtimit të pacientëve

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Elvir Azizi, dhe organizata humanitare Care for Kosovo Kids (CfKK), përfaqësuar nga znj. Anke Gerrits, kanë nënshkruar sot, dy Memorandume Mirëkuptimi, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së trajtimit për pacientët në repartet pediatrike të QKUK-së.

Marrëveshja e parë ka të bëjë me zbatimin e sistemit-platformës moderne për regjistrimin dhe menaxhimin e të dhënave të pacientëve në repartin e Hemato-Onkologjisë pediatrike.

CfKK kontribuon me pajisje teknologjike dhe trajnime, kurse ShSKUK merr përsipër instalimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemit në përputhje me ligjet për mbrojtjen e të dhënave.

Marrëveshja e dytë ka në fokus rinovimin e kuzhinës në Klinikën e Pediatrisë, si dhe sigurimin e pajisjeve për përmirësimin e shërbimeve për pacientët dhe stafin.

Kjo marrëveshje përfshin, investim nga CfKK-ja në vlerë prej 50,000 eurosh për pajisje moderne të kuzhinës, kurse SHSKUK-së do të bëjë rinovimin e hapësirës dhe përfundimin e projektit sipas afateve të përcaktuara kohore./Indeksonline/