75 Mall Live Search
07:49 / E Martë, 13 Shtator 2022 / AR

Inzaghi pranon ‘maloren’ në Champions: Grupi ynë, më i vështiri, kualifikimi shumë i komplikuar

Tri pikët e marra ndaj një Torino të vështirë kanë rikthyer buzëqeshjen, kanë zëvendësuar fytyrat e zymta zikaltër. Interi është gjallë dhe gati për t’u zhytur sërish në kontekstin e Champions League, me ndeshjen e dytë të grupit të planifikuar në Republikën Çeke, ndaj Victoria Plzen.

Fitorja e së shtunës mund të veprojë si një shtytës emocional për Handanovic dhe shokët e tij, ose të paktën kjo është shpresa e Simone Inzaghit, i cili foli në konferencën klasike për shtyp në prag të ndeshjes. Një nga dyshimet e mëdha të tij lidhet me portierin. Ka balotazh të ngushtë mes André Onana dhe Samir Handanovic:

“E kam vendosur tashmë, por nuk dua ta them, as lojtarët nuk e dinë këtë, sepse ne bëmë vetëm një stërvitje. Sot në mëngjes kemi punuar me video, jo shumë në fushë. Të martën në mëngjes do të ketë një takim teknik dhe do t’ua komunikoj ashtu siç duhet”.

Një sy edhe nga reparti i avancuar i Victoria Plzen, më shumë se shqetësues për kundërshtarët: “Ne përballemi me një ekip shumë fizik, e kemi studiuar mirë kundër Qarabag dhe Barcelonës. Victoria Plzen ka lojtarë të rëndësishëm si Chory, Mosquera, Sykora, të cilët janë të mirë në kundërsulmet e shpejta”.

Duhet lënë menjëherë pas negativiteti i debutimit ndaj Bayern Munich, i cili nxori në pah epërsinë e qartë të bavarezëve: “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, ne përfunduam në grupin më të vështirë të kompeticionit, por synojmë t’i luajmë të gjitha kartat tona. Debutimi nuk shkoi mirë, Bayerni ishte më i fortë se ne. Kjo sfidë është plot gracka, ne duam ta përballojmë më mirë”.

Kjo ndeshje është thelbësore për t’i dhënë vazhdimësi qëllimit të kalimit të raundit: “Unë nuk mendoj se do të jetë vendimtare, do të mbeten edhe katër ndeshje të tjera pas kësaj. Ne e dimë se është e rëndësishme dhe se zakonisht duhen dhjetë pikë për t’u kualifikuar në fazën tjetër. Sezonin e kaluar i bëmë, tani është më e komplikuar”.