11:14 / E Shtunë, 24 Shkurt 2024 / FR

IPK arrestoi një zyrtar policor me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar dje një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Pas pranimit të informacioneve të para për këtë rast, hetuesit e IPK-së kishin filluar hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë .

Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren,  nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Gjakovë zyrtari policor (zyrtar i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor – Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pa sakta të qytetarëve,

Në kuadër të këtij hetimi, me udhëzim të Prokurorisë së Gjakovës, IPK-ja ka iniciuar procedurë penale edhe ndaj një ndaj qytetarit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën  penale “Dhënia e ryshfetit” (duke i ofruar zyrtarit policor 1000 Euro) dhe “Deklarim i  rremë” .

Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.