75 Mall Live Search
18:23 / E Martë, 09 Shtator 2025 / BA

IPK i hedh poshtë pretendimet e “Demokracia Serbe”: Janë të pavërteta, asnjë ankesë s’fshihet – rastet trajtohen profesionalisht

Inspektorati Policor i Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e subjektit “Demokracia Serbe”, sipas të cilit gjoja janë fshehur mbi 30 ankesa të paraqitura nga ky subjekt. IPK këto pretendime i ka cilësuar si të pavërteta dhe tendencioze. Nga IPK është deklaruar edhe se asnjë ankesë nuk fshihet dhe se, çdo rast që pranohet regjistrohet zyrtarisht, trajtohet në përputhje me mandatin ligjor dhe hetohet në mënyrë profesionale.

Në deklarim thuhet edhe se zyra e IPK-së në Mitrovicën e Veriut funksionon rregullisht dhe është e hapur për të gjithë qytetarët.

‘‘Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) hedh poshtë si të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e subjektit “Demokracia Serbe”, sipas të cilit gjoja janë fshehur mbi 30 ankesa të paraqitura nga ky subjekt. IPK thekson qartë se asnjë ankesë nuk fshihet. Çdo rast që pranohet regjistrohet zyrtarisht, trajtohet në përputhje me mandatin ligjor dhe hetohet në mënyrë profesionale, objektive dhe të pavarur, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politike apo sociale të ankuesit. Zyra e IPK-së në Mitrovicën e Veriut funksionon rregullisht dhe është e hapur për të gjithë qytetarët. Nga kjo zyrë dhe në objektin e IPK-së në Hajvali për periudhën 6 mujore të vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar 38 ankesa nga qytetarët e komunave veriore të Republikës së Kosovës’’, thuhet në postim.

Nga IPK është thënë edhe se për secilin rast të raportuar janë ndërmarrë veprime hetimore konkrete dhe se IPK ka zhvilluar në Mitrovicën e Veriut takime të rregullta me qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues vendor e ndërkombëtarë me qëllim rritjen e transparencës e llogaridhënies.

‘‘Për secilin rast të raportuar IPK ka ndërmarrë veprime hetimore konkrete bazuar në autorizimet ligjore si dhe ka përcjellë në Prokuroritë kompetente rastet kur janë konstatuar elemente të veprës penale, kurse në rastet e dyshimeve për shkelje administrative janë përcjell për trajtim displinor në Policinë e Kosovës. Në secilin rast IPK bazuar në obligimet ligjore njofton palët për statusin e ankesave të tyre dhe e njëjta ka ndodhur edhe me ankuesit nga subjekti “Demokracia serbe”të cilët janë njoftuar për statusin e ankesave të tyre. Gjithashtu, IPK ka zhvilluar në Mitrovicën e Veriut takime të rregullta me qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues vendor e ndërkombëtarë me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut ndaj këtij institucioni’’, shtohet në komunikatë.

Në fund, në postim ritheksohet edhe një herë se akuzat se IPK gjoja “mban anën e policisë” janë të pavërteta, dhe se IPK institucion i pavarur, multietnik dhe i mbështetur në standardet ndërkombëtare.

‘‘Në këto takime janë dhënë shpjegime për mënyrën se si trajtohen ankesat e qytetarëve duke publikuar edhe raporte të veçanta lidhur me të gjeturat e hetimit për pesë vitet e fundit. Akuzat se IPK gjoja “mban anën e policisë” janë të pavërteta. IPK është institucion i pavarur, multietnik dhe i mbështetur në standardet ndërkombëtare, i cili nuk ndikohet dhe trajton me paanshmëri çdo rast duke kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor. IPK inkurajon të gjithë qytetarët, pa dallim komuniteti, të paraqesin ankesat e tyre pranë zyrave tona dhe siguron opinionin publik se çdo rast trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe paanshmëri’’, përfundohet në postim.