IPK i jep Policisë 10 rekomandime që pritet të ndikojnë në profesionalizmit policor
Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka publikuar Raportin e inspektimit të rregullt në fushën “Vlerësimi i trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”.
Inspektimi është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve – Prishtinë në trajtimin e veprave penale të kësaj natyre.
Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: identifikimi i kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, vlerësimi i respektimit të rregullave/procedurave në hetimin dhe procedimin e rasteve në Prokurorinë e Shtetit, vlerësimi i trajtimit dhe ruajtjes së dëshmive/provave, si dhe vlerësimi i mbajtjes dhe mirëmbajtjes së evidencave dhe dosjeve.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ hetimor.
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë dhjetë (10) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e vendosjes së mekanizmave të brendshëm të kontrollit për të siguruar që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara pa kaluar verifikimin e sigurisë, ushtrimit të kontrolleve për t’u siguruar që raportimi tek Prokurori i Shtetit mbi veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare të praktikohet përmes raporteve njoftuese.
Rekomandime janë dhënë edhe për ushtrimin e kontrolleve për nxjerrjen e planeve të hetimit, zbatimin e plotë të secilës prej masave të urdhëruara, kompletimit të dosjeve me listat e evidencës së dëshmive/kërkesat dhe raportet e ekzaminimit, respektimit të zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurori të Shtetit, si dhe kthimin e informatave kthyese nga Njësia në fjalë mbi statusin e raporteve inteligjente të pranuara nga Zyra e Analizës dhe Statistikave.
Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së (shih linkun si në vijim):
https://ipk.rks-gov.net/Reports/InspectionReports

